English

Protesta E Opozitës-Meta: Zgjidhja Vjen Vetëm Nëpërmjet Dialogut Dhe Vullnetit Të Palëve

- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaron se opozita po krijon një tension artificial - TIRANË, 7 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot në mbrëmje se "opozita po krijon një tension artificial dhe nga kjo situatë mund të dilet vetëm nëpërmjet dialogut dhe vullnetit të të dy palëve". I ftuar në një emision televiziv, Meta komentoi situatën e krijuar nga protesta dhe greva e deputetëve të opozitës dhe mbështetësve të tyre, në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. "Rruga e normalitetit kalon përmes dialogut dhe tolerancës reciproke, sepse nuk mund të ketë asnjë zgjidhje që çon përmes konfrontimit atje ku dëshiron opozita. Vetëm dialogu sjell zgjidhje, normalitet të situatës dhe zgjidhje për kërkesën e opozitës", tha Meta. Sipas tij, "rruga e zgjedhur nga lidershipi i PS-së nuk është dialogu, por krijimi i një situate artificiale të një tensioni politik midis opozitës dhe maxhorancës". Duke kërkuar që opozita të heqë dorë nga ultimatumet, Meta theksoi se "greva është një mjet ekstrem që shërben për të sensibilizuar, por që nuk sjell zgjidhje". "Komuniteti ndërkombëtar ka bërë të qartë se nuk është greva, por është dialogu që sjell zgjidhje për këtë situatë. Me ndërkombëtarët ne kemi një qëndrim të koordinuar se transparenca duhet të vijë në respekt të Kushtetutës. Këtu ka hapësirë të kënaqshme për të realizuar të gjitha kërkesat e opozitës", tha Meta. Sipas tij, "palët politike nuk mund të bëjnë interpretimin e lirisë së tyre, ashtu si e mendojnë vetë, sepse do ishte e vështirë të funksiononte shteti ligjor". Z. Meta theksoi se qëndrimi i maxhorancës ka qenë që në fillim shumë konstruktiv, sepse kishte vullnetin për t'i garantuar shumicën dhe kryesimin opozitës në komisionin hetimor. "Maxhoranca qëndron në bindjen e saj se hapja e kutive dhe rinumërimi i votave është antikushtetuese, pasi për këtë çështje ka vendosur Gjykata supreme e zgjedhjeve", tha Meta. Por sipas tij, "opozita mund t'i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese dhe nëpërmjet saj, të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias për hapjen e kutive". "Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se hapja e kutive përmes një komisioni hetimor parlamentar nuk përbën shkelje të pavarësisë së gjykatave atëhere ne jemi të gatshëm", tha Meta. Duke shprehur bindjen se ekzistojnë të gjitha hapësirat për arritjen e një zgjidhje konstruktive, Meta theksoi se "në rast se opozita mendon se me këtë alibi do destabilizojë situatën dhe do marrë pushtetin me forcë, kjo kohë ka perënduar në Shqipëri"./s.s./
KOMENTE