Bukuresht, 07 Maj, NOA - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, përsëriti mbështetjen e tij për përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO.
“Ne ndajmë qëndrimin se formula më e mirë për një paqe të qëndrueshme e afatgjatë në Ballkan është integrimi i të gjitha vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike, në NATO dhe në BE”, tha Rasmusen.
Ky i fundit nënvizoi faktin se aleanca mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara e kishte provuar veten, në veçanti gjatë Luftës së Ftohtë dhe gjatë luftërave në Ballkan.
Rasmusen, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka bërë thirrje për përmirësimin e raporteve mes Aleancës dhe Serbisë. “Kam shumë dëshirë t’i shoh marrëdhëniet e përmirësuara mes NATO-s e Serbisë”, tha kreu i Aleancës.
Deklaratat e Rasmusenit u bënë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Teodor Bassonski, në Bukuresht.
NOA