Reportazh/ Gjirokaster: Policia Ndalon "Shtegtimin "E Klandestinëve Në Pranverë
GJIROKASTËR, 7 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/.- "Policia e Gjirokastrës nuk toleron më", thotë i bindur Admin Lala. Për të, rruga tokësore për të shkuar si klandestin në Greqi, tashmë është mbyllur përfundimisht.
I riu 17-vjeçar nga Fieri humbi shansin të vetëpunësohet në bujqësi si klandestin në Greqi, pasi e ndaloi policia e Gjirokastrës në vijën kufitare.
"Ky vit nuk më ka ecur mbarë, jam ndaluar 15 herë në vijnë e gjelbërt", thotë Lala, që qysh në moshën 14 vjeç ka emigruar ilegalisht në Greqi, por sivjet kufiri është blinduar.
Panajot Qiqi, 55 vjeç, banor i fshatit Sofratikë, rreth 35 kilometra larg Gjirokastrës, thotë se klandestinët zakonisht "shtegëtojnë" në periudhën e pranverës, për shkak se atje ka shumë nevojë për krahë pune në bujqësi.
Dikur vetë klandestin në fillim të vitit 1991, Qiqi thotë se rruga mes maleve nuk është e lehtë, ka shkurre në pafundësi dhe shtigje të rrezikshme.
"Rruga rezervon rreziqe të paparashikueshme, se vetëm 2 kilometra në thellësi të territorit grek, shumë klandestinë kanë ngelur përjetësisht në rrjedhën e lumit", thotë Qiqi.
Sipas tij, policia kufitare e Gjirokastrës po tregohet më e rreptë se ajo greke.
"Çdo ditë furgonat e policisë kufitare shoqërojnë klandestinë në Kakavije dhe pasi identifikohen lihen të lirë", pohon Qiqi.
Eduard Caka, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, thotë se gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë ndaluar qindra klandestinë, veçanërisht në zonën e gjelbër.
"Ngrohja e motit dhe fillimi i punëve sezonale në Greqi, bën që në këtë periudhë tendencat për kalim të paligjshëm të kufirit të jenë të larta", shprehet Caka.
Ai bën të ditur se 11 persona janë ndaluar si të dyshuar për trafikimin e paligjshëm përkundrejt përftimit.
"Aksionet e policisë kufitare do të vijojnë për të goditur çdo rast të mundshëm të trafikimit të qënieve njerëzore", siguron Caka, i cili shton se nga 5 operacionet që kanë organizuar këtë vit, 3 kanë qenë në bashkëpunim me policinë greke të Janinës, iniciativë e nisur katër vjet më parë.
"Ka pasur raste që në grupin e klandestinëve janë 'inflitruar' persona me precedentë penale", tha Caka, duke nënvizuar se deri tani janë ndaluar 10 shtetas të shpallur në kërkim./s.s./