English

Sektori I Turizmit Ka Rritur Peshën Në Ekonominë E Vendit

- Ministri i MTKRS, Ferdinand Xhaferaj, deklaron në Forumin e Crans Montanës- TIRANË, 7 Maj/ATSH- Suada Daci/- "Sektori i turizmit ka rritur peshën në ekonominë e vendit", vlerësoi të premten ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, në Forumin e 21-të Ekonomik të Crans Montanës, që po zhvillohet në Tiranë. "Zhvillimi i turizmit vazhdon të jetë prioritet i programit të qeverisë, dhe ky sektor ka rritur ndjeshëm peshën ne ekonominë e vendit si në vlerë, ashtu dhe në punësim", tha Xhaferaj. Duke u ndalur te investimet në fushën e turizmit, ai vuri në dukje se "një nga projektet më ambicioze është ai i kompanisë së huaj OMIX ALBANIA SHPK, për zhvillime turistike në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit, me vlerë 2 miliardë euro, i cili synon të hapë 20 mijë vende të reja pune", tha Xhaferaj. Ministri Xhaferaj bëri të ditur se "gjatë viteve 2006-2009 qeveria ka investuar mbi 1 miliardë euro për të ndërtuar rrugë që i shërbejnë zhvillimit të turizmit, duke veçuar këtu rrugën Durrës-Kukës-Morinë, që lidh Kosovën me Shqipërinë, rajoni nga i cili kemi numrin më të madh të turistëve". Në këtë kontekst ai tha se viti 2009 shënoi një rritje prej 34 për qind të numrit të vizitorëve krahasuar një vit më parë, ose 456.000 turistë më shumë, duke bërë që numri i turistëve për vitin 2009 të arrijë në 3 milionë. Por sipas ministrit të TKRS-së, "realizimi i objektivave në fushën e turizmit nuk mund të bëhet vetëm nga qeveria", pasi sipas tij, "vullneti i plotë i qeverisë për të mbështetur zhvillimin e turizmit, ka si partnerë jetikë mbështetjen e iniciativave të individit, mbështetjen e sektorit privat investitorëve të huaj". Forumi Ekonomik i Crans Montanës u organizua në datat 6-7 në hotel "Sheraton", nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Forumi Crans Montanë. Në këtë forum u diskutua rreth çështjeve strategjike, si integrimi i Rrjeteve të Energjisë, sistemi bankar dhe financa, vendi dhe siguria globale në nivel rajonal. Në axhendën e punimeve të këtij forumi vend të rëndësishëm zunë diskutimet rreth aktiviteteve bankare dhe financiare në Shqipëri dhe në Europën Juglindore, roli i organizatave financiare ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja, etj. Në këtë eveniment ekonomik morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, nga qeveri të ndryshme të vendeve anëtare të BE-së dhe nga kompani të mëdha të huaja, të interesuara për investime në Shqipëri./s.s./
KOMENTE