English

Shqipëri- Kosovë, Marrëveshje Bashkëpunimi Për Kulturën 2010-2012

TIRANË, 7 Maj/ ATSH- Suada Daci/.- Marëveshja e parë e bashkëpunimi kulturor për vitet 2010-2012 pritet t'i japë hov shkëmbimeve kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, pas nënshkrimit të saj sot në Tiranë nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj dhe homologu i tij kosovar, Lutfi Haziri. Pas nënshkrimit, ministri Xhaferaj vlerësoi se kjo është marrëveshja e parë që nënshkruhet me Kosovën bazuar mbi ate të vitit 2002. Por ai e quajti si "marrëveshja e parë e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve". Xhaferraj tha se "Marrëveshja vjen si një veprim institucional, që i bën nder dhe respekt gjithë përpjekjeve për vite të tëra të intelektualëve dhe institucioneve respektive, që kanë mbajtur gjallë shkëmbimin kulturor". Sipas tij, me këtë marrëveshje pritet të disiplinohet akoma më mirë shkëmbimin kulturor midis dy vendeve, pasi është punuar që të dilet nga mentaliteti i muajit, apo javës së bashkëpunimit me Kosovën. "Tani do të ketë vite të bashkëpunimit me Kosovën në mënyrë të përditshme", tha Xhaferraj, duke shtuar se tashmë të dy institucionet kulturore, nën mbështetjen dhe mbikëqyrjen respektive te dy ministrive, "do t'u mundësojnë qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë, të shijojnë vlerat e kulturës tonë dhe me aktivitetet, do të dëshmojmë që kultura jonë e përbashkët ka një identitet krejtësisht europian". Ndërsa ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lufti Haziri, tha se "marrëveshja ka marrë formën e trajtimit dhe kujdesit të veçantë ne sherbim te kulturës kombëtare dhe në zbatimin e objektivave në vitet e ardhshme". Sipas tij, "ajo prek shumë sektorë të kulturës, sportit, duke angazhuar institucione në varësi të ministrisë dhe institucioneve kulturore në tërësi". Marrëveshja e firmosur sot bazohet në "Marrëveshjen e Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Përkohshëm të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)", të datës 12 gusht 2002./n.m/
KOMENTE