English

Spanjë-Shba - Biden Në Madrid, Takohet Me Mbretin Dhe Kryeministrin

MADRID, 7 maj /ATSH-ANSA/ - Pasditen e sotme zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, mbërriti në Madrid, duke shënuar edhe vizitën e parë të një politikani të lartë në Spanjë që prej vitit 2001. Numri dy i administratës amerikane u prit sot në pallatin Zarzuela nga mbreti Juan Carlos. Ndërsa nesër në mëngjes do të takohet me kryeministrin Jose Luis Zapatero. Dhe ndër të tjera është parashikuar që, së bashku me shefin e qeverisë spanjolle, të vizitojë bazën ushtarake Paracuello të Jartamas, pranë kryeqytetit, ku ndodhet shtabi i përgjithshëm i brigadës së parashutistëve spanjollë, të cilët në korrik do të dislokohen në Afganistan, në kuadër të misionit të NATO-s. Vizita e fundit e një presidenti ose zëvendëspresidentit në Spanjë daton në vitin 2001, kur ishte në pushtet konservatori Jose' Maria Aznar. Por me ardhjen në pushtet në vitin 2004 të socialistit Zapatero dhe me tërheqjen e njëanshme të trupave spanjolle nga Iraku, marrëdhëniet Madrid-Uashington u ftohën. Gjatë administratës Bush kryeministri spanjoll nuk u kreu asnjëherë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë dhe presidenti amerikan nuk e vizitoi asnjëherë Spanjën. Me ardhjen e presidentit Obama në pushtet, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u përmirësuan dhe Zapatero e ka vizituar tashmë dy herë Shtëpinë e Bardhë. Sipas të përditshmes "La Vanguardia", vizita e Biden duhet ta "ngushëllojë" Zapateron pasi Obama e anulojë pjesëmarrjen e tij, për disa angazhime të tjera, në një samit BE-SHBA që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Madrid. /e.v/
KOMENTE