Sport-Qitje/ Sporti I Qitjes Nis Sezonin Me Kupën E Shqipërisë
TIRANË, 7 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Federata Shqiptare e Qitjes e nis kalendarin e saj të aktiviteteve kombëtare për 2010-ën me Kupën e Shqipërisë për femra dhe meshkuj. Gara e parë do të jetë ajo e ushtrimit të qitjes me pistoletë, që do të zhvillohet më 8-9 maj në poligonin e klubit Studenti "Rexhep Ramaj", në Tiranë.
Një javë më pas, në datat 15-16 maj, konkurrentët do të transferohen në Elbasan për garën e ushtrimit të qitjes me pushkë.
Sipas sekretarit të Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, "pas Kupës së Shqipërisë, në projekt kalendar është parashikuar të zhvillohet më 22-23 maj kampionati kombëtar i të rinjve"./s.s./