Tiranë, 07 Maj, NOA - Sëmundja e gjakut, talasemia, mbetet problem shqetësues për Shqipërinë, pasi disa rrethe të vendit, që njihen si pellgu i Myzeqesë, po regjistrojnë çdo vit lindje të reja me këtë sëmundje.
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili gjatë një konference për parandalimin e talasemisë, ka theksuar sot se e gjithë puna e bluzave të bardha duhet të fokusohet për reduktimin e foshnjave talasemike.
“Kemi një rënie të përqindjes së talasemikëve në vend, por duhet akoma punë për tu bërë pasi në rrethe të tilla si Lushnja, Fieri, Berati, Vlora e Saranda, regjistrohen akoma lindje të reja”, u shpreh Vasili.
Një prej rreziqeve që kanos shëndetin e talasemikëve është cilësia e gjakut.
Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se siguria e gjakut ka ardhur në rritje çdo vit dhe kjo ka bërë që nga viti 2005, kur u identifikuan 4 fëmijë talasemikë me hiv aids dhe 88 të tjerë me hepatit B e C, të mos ketë raste të reja.
Në të gjithë vendin numërohen rreth 300 pacientë talasemikë.
Nga viti 2004-2007 kanë ardhur në jetë 80 bebe talasemikë, ndërkohë që zonat që kanë përqindjen më të lartë të pacientëve që vuajnë nga talasemia, ose siç njihet ndryshe, nga mungesa e rruazave të kuqe të gjakut, janë Fieri me 22 për qind, Lushnja me 17 për qind, Vlora me 16 për qind dhe Saranda me 12 për qind.
b.a/NOA