English

Tiranë- Opozita Vijon Protestat Për Transparencën E Zgjedhjeve

TIRANË, 7 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Partia Socialiste dhe aleatët e saj vijuan sot pasdite protestat me një miting në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku prej një jave po zhvillohet greva e urisë e deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Simpatizantë të PS-së të, ardhur kryesisht nga qyteti i Fierit, shprehën solidaritetin me grevistët e ngujuar në çadrat e vendosura para selisë së kryeministrisë. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, tha para protestuesve se "kërkojmë të drejtën tonë natyrale për transparencë, kërkojmë një Shqipëri ndryshe". Ai i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të bëhet pjesë e zgjidhjes që vjen vetëm nëpërmjet votës së lirë. Duke marrë fjalën në këtë protestë, deputetja Ermelinda Meksi theksoi se "greva e opozitës është një betejë për parimin e votës së lirë, që do të përfundojë vetëm kur nga ana e maxhorancës të ketë një përgjigje pozitive për kauzën e tyre". Ndërsa Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, iu drejtua autoriteteve ndërkombëtare në vendin tonë, duke theksuar se idealet për të cilat po lufton opozita nuk kanë asnjë ndryshim me idealet e etërve të demokracisë./s.s./
KOMENTE