Topi-Ambasadorët:Rifillim I Dialogut Politik Ndërinstitucional
- Gjatë takimeve të Presidentit Topi me Metën, Withers, Montobion dhe Lohan -
TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike në vend, ishin në qendër të takimeve, që zhvilloi sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi me zyrtarë të lartë të vendit dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, Kreu i shtetit priti në mesditë Shefin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, me të cilët zhvilloi një bisedë për situatën më të fundit politike në vend.
Ky takim erdhi në vazhdën e disa takimeve të tjera që Kreu i Shtetit zhvilloi sot më parë me zv.kryeministrin Ilir Meta dhe Ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers, në rezidencën e këtij të fundit.
Palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike.
Bashkëbiseduesit e vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale, forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian./a.s//n.m/