Tiranë, 08 maj, NOA – Presidenti Bamir Topi, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe ambasadorët e SHBA, BE dhe KE gjatë takimit të sotëm kanë kërkuar rifillimin e dialogut mes palëve për të dalë nga situata e krijuar.
Pas takimit me diplomatët më të lartë në vend, Presidenti i Republikës me anë të një njoftimit për mediat ka informuar mbi përmbajtjen e takimit dhe mesazhet që kanë dhënë ndërkombëtarët.
“Bashkëbiseduesit vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën për media të Zyrës së Shtypit të Presidencës.
Deklarata thekson se palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike.
Qëndrimi i Presidencës erdhi pas takimit që Presidenti, Bamir Topi zhvilloi sot në me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, me të cilët zhvilloi një bisedë për situatën më të fundit politike në vend.
“Ky takim erdhi në vazhdën e disa takimeve të tjera që Kreu i Shtetit ka zhvilluar sot edhe me Zëvendëskryeministrin Meta dhe Ambasadorin amerikan, Xhon Uithers II në rezidencën e këtij të fundit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
m.xh/NOA