English

Vëzhgim - Greva Dhe Punimet Në Shesh Bllokojnë Trafikun Në Tiranë

KUN NË TIRANË TIRANË, 7 Maj /ATSH - Gjergji Mima/ - Mijëra qytetarë e kanë parë veten sot të bllokuar si asnjëherë tjetër, kur nuk mundën të lëvizin me makinë thuajse në të gjithë akset kryesore të kryeqytetit dhe jo vetëm për disa pak minuta, pasi Tirana u gjend e paralizuar nga trafiku i automjeteve, por edhe mjeteve të transportit urban. Qytetarët janë përballur me vonesa mjaft të medha, shumë më tepër se ditët e para kur filluan punimet për rikonstruksionin e sheshit "Skëndërbej", pasi bllokimit të trafikut në qendër të Tiranës i është shtuar prej një jave dhe bllokimi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Kështu, trafiku po devijon nga të mundet për shkak të bllokimit të një pjese të madhe të bulevardit "Dëshmoret e Kombit" dhe qendrës. Duke qenë vetëm Unaza e madhe e lirë, edhe autobuzët e linjës së Tiranës së Re përshkojnë pjesërisht linjën e Unazës, duke kaluar përmes urës së madhe të Lanës në drejtim të stacionit të trenit. Kësaj here, Bashkia e Tiranës nuk ka bërë asnjë lloj njoftimi apo sqarimi për bllokimin e rrugëve dhe devijimeve të tjera të trafikut, sado që pasojat janë të rënda për mjaft qytetarë që po pengohen në shkarjen e tyre drejt vendeve të punës. Kaosi që nisi rreth orës 8:00 sot në mëngjes, po vijon të rëndohet akoma më shumë me kalimin e orëve. Të mbërthyer në këtë trafik të tmerrshëm, mijëra vetë nuk mundën sot të mbërrinin në kohë në vendet e punës apo destinacionet e tjera. Ky kaos u ka kushtuar veç nervave të tendosura, vonesave në punë dhe takime, edhe karburant më shumë shoferëve. "Po rrezikoj të humbas punën për shkak të trafikut, se nuk mund të lëviz në Tiranë pa makinën, që më duhet gjatë ditës", thotë i revoltuar për ATSH-në Besnik. D., një nga shoferët e shumtë që ka mbetur i bllokuar në trafikun e Unazës ditën e sotme. Por dhe në raste emergjencash, qytetarët rrezikojnë deri dhe jetën për shkak të vonesave të shumta nga bllokimi i rrugëve. Për më keq akoma, ende nuk dihet se si do të zgjidhet situata, sepse kjo gjendje nuk dihet ende sa do të vazhdojë dhe askush nuk jep dot një përgjigje. Qëndra do të vazhdojë të jetë e bllokuar, pasi edhe pas perfundimit të punimeve, ajo do të jetë vetëm për këmbësorë. Ndërsa vetë qytetarët ende nuk dijnë se kur do të lirohet bulevardi "Dëshmorët e Kombit", i bllokuar nga grevistët e opozitës./n.m/
KOMENTE