Tiranë, 7 maj, NOA - Qeveria shqiptare në programin e saj për vitet 2009-2013 e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj duke e parë atë si një ndër tre fushat kryesore për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit.
Një fakt të tillë, ministri i Turizmit Ferdinand Xhaferri e ka theksuar gjatë fjalimit që mbajti në Forumin e Krans Montanës i cili po zhvillon punimet e tij në Tiranë, duke theksuar se objektivi i qeverisë është që Shqipërinë ta kthejë në “destinacion kryesor mesdhetar”.
“Megjithëse një vend i vogël, Shqiperia përshkohet nga një vijë bregdetare me gjatësi 362 km dhe ka trashëguar mbi 2000 objekte të shpallura monumente kulture tre prej të cilave janë pasuri botërore e njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO (Butrinti, Berat, Gjirokastër)”, tha ai për Shqipërinë.
Duke shtuar se “tre vite më parë, parlamenti shqiptar miratoi ligjin për turizmin, i cili rregullon funksionimin e sektorit të turizmit në mënyrë cilësore dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare në këtë fushë”.
Për të inkurajuar investimet edhe në fushën e turizmit, ligji për konçesionet mundëson përfitimin e një kontrate afatgjatë 35-vjeçare me të drejtë rinovimi kur biznesi rezulton i suksesshëm, vuri në dukje ndër të tjera ministri.
Në fund, ai shtoi se “gjatë viteve 2006-2009, qeveria shqiptare ka investuar mbi 1 miliard euro për të ndërtuar rrugë që i shërbejnë zhvillimit te turizmit si Durrës-Kukës-Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë”.
n.e/NOA