Zona Euro - Merkel Kërkon Forcimin E Disiplinës Buxhetore
BRUKSEL, 7 maj /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh sot për një ashpërsim të disiplinës buxhetore evropiane, përfshirë ndryshime në traktatet, si dhe për një "përshpejtim" të dukshëm të përpjekjeve për rregullimin e sektorit financiar.
"Duhet të tregohemi të vendosur për forcimin e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian, që kufizon në parim nivelin e deficiteve publike kombëtare, "përfshirë modifikimet e traktatit evropian", i deklaroi ajo shtypit në samitin e zonës euro në Bruksel.
"Gjermania është në favor të sanksioneve të reja kundër vendeve shumë liberale, si pezullimi i të drejtës së votës gjatë mbledhjeve të BE-së apo privimi nga disa ndihma evropiane.
Merkel theksoi gjithashtu se drejtuesit e zonës euro duhet "të përshpejtojnë rregullimin e tregjeve financiare" të akuzuar për theksimin e krizës aktuale në zonën euro.
"Këtu, nuk kemi më kohë për të humbur, duhet të ecim shpejt", deklaroi ajo.
Merkel ka theksuar nevojën e përpjekjeve që duhet të bëjnë të gjitha vendet e zonës euro "dhe jo vetëm Greqia, për zvogëlimin e deficiteve në mënyrë që Pakti i Stabilitetit të mund të respektohet sa më shpejt".
/I.Pu.