English

Ademi: Rajoni Duhet Të Lobojë Për T'U Bërë Atraktiv Ndaj Investitorëve Të Huaj

-Deklaron per ATSH-në, Zëvendës Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi- TIRANE, 8 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Vendet e rajonit duhet të lobojnë bashkërisht, për t'u bërë atraktivë në thithjen e investitorëve të huaj. Zëvendës Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, i pranishëm në Forumin e 21-të Ekonomik të Crans Montanës që zhvilloi punimet në Tiranë, deklaroi në një intervistë eskluzive për ATSH-në, se Maqedonia dhe Shqipëria si dy vende fqinjë synojnë të rrisin bashkëpunimin ekonomik mes tyre dhe aspirojnë për thithjen e investimeve të huaja në një treg të madh rajonal. Duke u ndalur më konkretisht, Z. Ademi nënvizon se hartimi programeve të përbashkëta mes dy vendeve në sektorin e infrastrukturës, energjitikës, turizmit etj, do të rrisë shkëmbimin tregtarë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Pyetje: Si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë? Përgjigje: Shkëmbimi tregtar midis dy vendeve çdo ditë po shënon rritje, mirëpo dua të theksoj se kjo rritje nuk është në nivelin e dëshiruar, prandaj në të gjitha takimet tona me biznesin dhe institucionet e linjës, po këmbëngulet për të rritur shkëmbimet tregtare.. Edhe ky Forum ku morëm pjesë është në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit, për të prezantuar të gjitha lehtësirat dhe reformat që kanë ndërmarrë këto vende si dhe për të paraqitur Rajonin si një vend atraktiv për investitorët e huaj. Sigurisht, kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mendosj se dy vendet tona kanë një mundësi shumë të mirë të bashkëpunimit ekonomik si dy vende fqinjë, kanë projekte të përbashkëta të cilat mund edhe të zhvillojnë dhe rritin shkëmbimin tregtar. Në radhë të parë këto projekte mund të jenë kryesisht në sektorin e infrastrukturës, të cilat edhe për Maqedoninë dhe Shqipërinë janë ndër prioritetet kryesore, si p.sh. Korridori 8-të është një faktor kryesor për të pasur një zhvillim ekonomik.. Ndërkohë që dua të informoj opinionin se qeveria e Republikës së Maqedonisë ka filluar të bëjë projektin për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë Kosovën me kufirin e Maqedonisë , e cila pritet të fillojë në vitin 2011. Gjithashtu ne kemi filluar dhe proçdurat për dhënien me koncension të Koridorit 8-të dhe nese do të jetë i suksesshëm i gjithe tenderimi, ne parashikojmë që në 7 vitet e ardhshme të ndërtohen 500 km autostradë, duke përfshirë këtu edhe Koridorin e 8-të. Sigurisht nevojat për një lidhje të sistemit të energjitikës janë imediate dhe janë të nevojshme, sepse edhe Shqipëria dhe Maqedonia do të investojnë në ngritjen e HEC-ve të vegjël, por edhe në ngritjen e linjave të energjisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë që do të ndihmojë për transmetimin e energjisë në vendet e tjera dhe anasjelltas. Këto janë disa nga fushat që do të nxisin rritjen e shëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve . Ndërkohë që turizmi për Shqipërinë dhe Maqedoninë mbetet sektori që i bën vendet tona atraktive për pushuesit jo vetëm gjatë stinës së verës, por dhe në dimër. Pyetje: Cilët nga sektorët e ekonomisë shqiptare, shihni më me interes për të bashkëpunuar dhe investuar në vendin tonë? Përgjigje: Ne duhet ti krijojmë kushte investitorëve të huaj për të financuar jo vetëm në vendet tona respektive por për t'i krijuar kushte atyre që të investojnë në një treg më të madh. Kështu nëpërmjet marrëveshjes së CEFTAS apo marrëveshjeve të tjera ekonomike që kemi mes vendeve të rajonit, ne u krijojmë kushte investitorëve për një treg atraktiv me mbi 650 milionë banorë. Në këtë konteks, investimet duhet të shihen në një inters të përbashkët dhe jo vetëm për vende të vecantë, pasi tregjet e kufizura nuk do të ishin me interes për financimet e huaja. Prandaj këto forume duhet të shfrytëzohen për të shprehur gadishmërinë e të gjithë vendeve të rajonit, për tu paraqitur me projekte të përbashkëta për investitorët e huaj. Këtu do të përmendja sektorët e infrastrukturës, turizmit, përpunimit të produkteve bujqësore që kanë një kualitet të lartë cilësie, e cila kërkohet edhe nga konsumatorët evropianë. Pyetje: A ka ardhur koha që vendet të institucionalizojnë një bashkëpunim rajonal mes tyre? Përgjigje: Bashkëpunimi rajonal dhe krijimi i një tregu të përbashkët mes vendeve të Evropës Juglindore, është një nga objektivat e marrëveshjes së CEFTAS. Në këtë kuadër të gjitha Forumet ekonomike që organizohen kanë për qëllim prezantimin e të gjitha lehtësirave dhe kushteve që u krijojnë qeveritë vendase investitorëve strategjik, për të financuar në një treg të përbashkët rajonal. Pyetje: Sa ka ndikuar kriza financiare ndërkombëtare dhe kriza greke në ekonominë maqedonase dhe atë rajonale? Përgjigje: Kriza globale ka ndikur në zhvillim ekonomik të rajonit, por nga ana tjetër dhe kriza greke pritet të japë efektet e veta në ekonominë maqedonase sepse shumica e bizneseve të huaja që zhvillohen në Maqedoni janë greke. Lidhur me këtë fakt, qeveria maqedonase ka bërë disa herë apel dhe po kontakton biznesmenët grekë që të mos largohen nga Maqedonia, apel që deri tani ka dhenë efekte dhe shpresojmë që ndikimi i krizës greke të jetë minimal. Mirëpo çdo dukuri që ndodh në ballkan ka efektet e veta, ndaj qeveria po përpiqet që këto efekte të jenë sa më minimale në ekonominë e vendi tonë. Unë mendoj se, jo vetëm nga kriza globale, por dhe përvoja greke mendoj se duhet të merren parasysh që të mos përsëriten në vendet tona. Megjithatë jam optimist se me masat që ka marrë BE-ja ndaj qeverisë greke, situata do të përmirësohet dhe nuk do të ketë efekte negative në ekonomitë e vendeve tona. Invesitorët grekë operojnë kryesisht në industrinë tekstile, rafinerinë e naftës dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, por mendoj se efektet janë më tepër psikologjike, pasi nuk ndihen dhe shpresoj të mos thellohen më tej efektet në ekonominë maqedonase./a.gj/
KOMENTE