English

Afganistan - Talebanët Shpallin Një Ofensivë Që Nis Të Hënën

KABUL, 8 maj /ATSH-ANSA/ - Talebanët e Afganistanit njoftuan sot se pas dy ditësh do të nisin një Xhihad (Luftë e Shenjtë) në të gjithë territorin kombëtar kundër forcave të huaja ushtarake dhe atyre afgane. Në një komunikatë zyrtare, Këshilli i Emiratit islamik të Afganistanit, thekson se operacioni do të nisë më 10 maj dhe do të quhet Alk Faath (Fitore). Duke kërkuar një tërheqje të menjëhershme dhe pa kushte për të gjitha forcat e huaja, talebanët shpjegojnë se "për të arritur këtë objektiv, Emirati islamik i Afganistanit e konsideron Xhihadin si mënyrën e vetme për të arritur qëllimin". "Operacioni Al Faath do të godasë pushtuesit amerikanë, personelin e NATO-s, këshilltarët e huaj, spiunët që operojnë si diplomatë të huaj, anëtarët e administratës dhe të qeverisë Karzai dhe (...) të gjithë ata që mbështesin pushtuesit e huaj për përforcimin e dominimit të tyre", thuhet në komunikatën e talebanëve. "Xhihadi do të fillojë më 10 maj, me operacione luftarake, aksione në qytete të ndryshme, rrethime të qendrave urbane, bllokimin e rrugëve drejt qendrave ushtarake, përdorimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara (IED), vrasjen e funksionarëve të qeverisë, kapje të pushtuesve të huaj dhe përdorimin e kamikazëve", thuhet më tej në deklaratën e talebanëve. Talebanët i bëjnë thirrje kompanive të huaja që janë angazhuar në punime infrastrukturore të ndërpresin punimet dhe investitorëve të huaj që mbështesin interesat e amerikanëve t'i ndërpresin menjëherë aktivitetet e tyre. Komunikata përfundon me një thirrje për muxhahedinët të cilëve u kërkohet të bëjnë kujdes me jetët dhe pronat e civilëve dhe të bëjnë çdo përpjekje për t'i mbrojtur gjatë operacioneve që do të ndërmerren. /e.v/
KOMENTE