Durrës: Fillon Mbjellja E 400 Pemëve Dekorative Në Rrugën E Ish-Kënetës
DURRES, 8 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Rreth 400 pemë nisën të mbillen sot në rrugën e re hyrëse të qytetit të Durrësit, e cila u hap një vit më parë në zonën e ish-kënetës, me financim të Bashkisë.
Kryetari i saj, Vangjush Dako, tha për mediat e pranishme në fillimin e punimeve, se në kuadër të nismës "Në pemë, një jetë" gjatë këtij viti në rrugët kryesore të qytetit do të mbillen 1300 drurë dekorativë të llojeve të ndryshme si, bli, rrap, kumbull e kuqe, panjë, etj.
Sipas tij, shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra në Durrës është një nga prioritetet e punës së Bashkisë. Vjet në qytetin e Durësit u mbollën 1100 pemë të reja.
Mësohet se në rrugën e ish-kënetës me gjatësi 2 km, do të mbillen 400 drurë dekorativë rrepe.
Qyteti i Durrësit tashmë numëron 205 mijë banorë dhe pas Tiranës, është i dyti në vend për nga numri i popullsisë. /a.ke/