Durrës, Mot I Paqëndrueshëm, Kushte Të Mira Lundrimi
DURRËS, 8 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Moti i paqëndrueshëm, me temperatura më të ulta se sa mesatarja stinore, si dhe kushtet e favorshme detare do të karakterizojnë sot situatën meteorologjike në rajonin e Durrësit.
Burime nga kapiteneria e portit më të madh të vendit bënë të ditur për ATSH-në se tre tragete me udhëtarë dhe kamionë, që mbërritën nga Bari (Itali), janë ankoruar në kalata që në orët e para të ditës, ndërsa në mesditë pritet edhe një traget tjetër po nga Bari.
Kushtet e mira detare kanë favorizuar gjuetinë e motopeshkatoreve, të cilat vazhdojnë të shfrytëzojnë mungesën e valëzimit në brigjet shqiptare.
Sipas burimeve të kapitenerisë, trafiku i anijeve në hyrje dhe në dalje nga porti detar si dhe përpunimi i anijeve tregtare me mallra dhe kontejnerë do të vazhdojnë pa probleme.
Era që fryn e lehtë nga verilindja ka ndikuar në uljen e temperaturave të ajrit gjatë natës së kaluar dhe sipas të njëjtave burime, gjatë ditës nuk priten ndryshime të rëndësishme të kushteve të motit./s.s./