Uashington, 8 maj, NOA - Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku Eliot Engel, bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, bën thirrje që palët në Shqipëri ta zgjidhin vetë krizën politike.
Si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, në Shqipëri duhet të ketë stabilitet, thotë ligjvënësi amerikan, ndërsa përsa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, lidhur me korrupsionin, Engel thotë se çështja e imazhit është shumë e rëndësishme për Kosovën si një shtet i ri që përpiqet të sigurojë njohje.
Zoti Engel si bashkëkryetar i Grupit të Ligjvënësve për Çështjet Shqiptare në Kongres, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, sa ka ndryshuar roli juaj në Kongres, kur bëhet fjalë për çështjet shqiptare?
Siç e dini unë jam themeluesi i Grupit të Ligjvënësve për Çështjet Shqiptare në Kongres para 20 vjetësh dhe kam qenë vazhdimisht bashkë-kryetar i grupit, ndërsa të tjerët janë ndryshuar herë pas here. Para 20 vjetësh, kur filluam, njerëzit as nuk e dinin ku ishte Kosova, ata mund të kishin dëgjuar emrin, por nuk e dinin ku binte, ndërsa Shqipëria shihej si një vend i largët, i mbyllur, i kontrolluar nga komunistët. Sot situata ka ndryshuar. Siç thatë ju, Shqipëria është krenare që është anëtare e NATO-s, Kosova është krenare që është e pavarur. Shpesh u them miqve të mi amerikanë, se kudo që të shkojnë në botë, nuk do të gjejnë miq më të mirë se sa shqiptarët, por ashtu edhe shqiptarët nuk kanë miq më të mirë se amerikanët. Kur shkoj në Kosovë ose në Shqipëri, shoh njerëz dashamirës, njerëz që më thonë se e pëlqejnë Amerikën dhe duan të jenë aleatë të Amerikës. Roli im sot nuk është më të edukoj njerëzit për Kosovën ose Shqipërinë, por të merrem me çështjet që janë të rëndësishme për këto dy vende. Për shembull unë kam kërkuar me këmbëngulje që Shqipëria të anëtarësohej në NATO. Sa herë ka pasur dëshmi, ose sa herë më është dhënë rasti, unë kam folur për rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sot kjo është bërë realitet. Tani po punojmë për Shqipërinë që synon të anëtarësohet në BE dhe një ditë edhe Kosova do të anëtarësohet si në NATO edhe në BE. Tani nuk ka më nevojë t’i bësh njerëzit të ndërgjegjshëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por herë pas here duhen kujtuar, që ta kthejnë vëmendjen tek këto dy vende.
Shqipëria zhvilloi vjet zgjedhjet e para të përgjithshme, që pas anëtarësimit në NATO dhe është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por zgjedhjet janë kundërshtuar ashpër nga Partia Socialiste e opozitës e cila këto ditë, ka filluar edhe një grevë urie. Si i shikoni ju zhvillimet e fundit politike në Shqipëri?
Unë besoj se shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë situatën e krijuar politike. Nuk besoj se amerikanët duhet t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë të bëjnë. Zgjedhjet siç dihet përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njëra palë sot kundërshton dhe ndjehet se rezultati nuk ishte i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, jo t’u thonë amerikanët si të veprojnë.
Por palët siç shihet nuk po arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet. Si ndikon kjo situatë për imazhin e vendit si një demokraci e qëndrueshme?
Do të ishte më mirë mos të kishte përplasje të tillë publike, pasi pa dyshim si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Këtu në Amerikë ne patëm rastin e zgjedhjeve të vitit 2000, Al Gori ndaj presidentit Bush, që u kontestuan deri në fund dhe në përfundim ishte Gjykata e Lartë, që me një rezultat tepër të ngushtë, 5 me 4 vendosi në favor të presidentit Bush. Dikush më tha në atë kohë, që dallimi mes Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera është se, në se ajo që ndodhi në Amerikë do kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër, tanket do të kishin dalë në rrugë. Në Shtetet e Bashkuara ne vendosim gjithça përmes procesit kushtetues. Kjo duhet të ndodhë edhe me Shqipërinë. Kjo luftë publike nuk është e mirë për imazhin e Shqipërisë. Por përsëri unë nuk mund t’u them palëve çfarë të bëjnë. Ky nuk është roli im. Roli im është të siguroj sa më shumë ndihmë për Shqipërinë që të mundem, të bëjë sa të mundem për të forcuar më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, të siguroj fonde të qeverisë amerikane për Shqipërinë. Ky është roli im.
Një koleg i juaj, ligjvënësi Delahunt, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, përmes një letre dërguar kryeministrit Berisha, ngre shqetësimet e tij për gjendjen politike dhe ndër të tjera sugjeron edhe hapjen e kutive të votimit. Cili është mendimi për këtë?
Çdo ligjvënës mund të japë mendimin e tij. Ligjvënësi Delahunt po jepte mendimin e tij. Ai nuk flet në emër të qeverisë amerikane dhe nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë amerikane. Ai bëri të ditur qëndrimin e tij, por duhet të jetë e qartë se ai flet për veten e tij.
Dhe ju vetë, keni ndonjë mendim lidhur me çështjen e kutive.
Nuk besoj se roli im është t’u them palëve në Shqipëri çfarë të bëjnë. Ka njerëz që thonë se ato duhen hapur. Ka të tjerë që thonë se socialistët duhet të kthehen në parlament. Nuk më takon mua të përfshihem në këto çështje. Unë dua të vazhdoj të ndihmoj Shqipërinë pa marrë anën e njërit apo tjetrit në mosmarrëveshjet politike, ose të them se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët. Kam plot shqetësime këtu në Shtetet e Bashkuara për t’i thënë qeverisë time se cila është rruga e drejtë që duhet të ndjekë për një sërë çështjesh, që nga reforma shëndetësore e të tjera. Nuk mund t’i them një vendi tjetër, një vendi mik, se çfarë duhet të bëjë.
Le të ndalemi tek Kosova. Kohët e fundit kanë filluar hetime ndaj Ministrit të Transporteve Fatmir Limaj nën dyshimet për korrupsion. Kryeministri Thaçi, po ashtu ka bërë kritika të ashpra, ndaj institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, si EULEX-si apo ndaj përfqaqësuesit civil Feith. Si i shikoni këto zhvillime në Kosovë?
Korrupsioni është problem. Në Ballkan lufta ndaj tij duhet të vazhdojë. Unë kam folur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ai më ka thënë se e shikon me seriozitet problemin e korrupsionit dhe po e lufton atë. Korrupsioni është një problem me rrënjë të thella që nuk është e lehtë për ta çrrënjosur, është një problem i vazhdueshëm. Ne folëm për çështjen e imazhit dhe imazhi është i rëndësishme për Kosovën si shtet i ri, që përpiqet të sigurojë njohje. Nuk ka ditë në Uashington, që nuk përpiqem për Kosovën. Përditë flas me amabasadorë, ministra të jashtëm kryeministra, presidentë, që t’i bind për të njohur Kosovën. Dhe pa dyshim që çdo gjë që dëmton imazhin e Kosovës nuk është e mire. Ne theksojmë vazhdimisht që megjithë problemet, Kosova, populli i saj po punojnë shumë për të ndërtuar shtetin e ri. Por ka edhe një përqindje shumë të vogël njerëzish që bëjnë veprime të gabuara. Unë jam mbështetësi më i madh i Kosovës në Uashington dhe jam krenar për rolin që luajtën Shtetet e Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. Unë isha në Kosovë ditën e pavarësisë më 17 shkurt dhe të nesërmen, që ishte ditëlindja ime, kjo kishte dalë në gazetë. Për mua kjo ishte dhurata më e mirë për ditëlindje. Gjerat në Kosovë po shkojnë mirë. Korrupsioni gjithmonë duhet çrrënjosur. Por unë nuk dua që korrupsioni të jetë lajmi nga Kosova, unë dua që përparimi drejt së ardhmes të jetë lajmi nga Kosova. Shumica e vendeve evropiane e kanë njohur Kosovën. Janë gjithsej 66 vende që e njohin shtetin e ri dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet që edhe vende të tjera ta njohin Kosovën.
Kohët e fundit ka patur sërish zëra për mundësinë e ndarjes së Kosovës si një prej zgjidhjeve në marrëdhëniet e saj me Beogradin. A mendoni se çështja e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mund të jetë një alternativë?
Jo. Mendoj se kjo është ide e keqe. Po të fillosh të shkëmbesh territore në Ballkan, kjo nuk do të ketë fund dhe mund të çojë në luftra ose vështirësi më të mëdha. Kosova nuk duhet të ndahet. Serbët në Beograd po luajnë një lojë të rrezikshme, çdo hap që hedhin është i kalkuluar. Ata duan ndarje, duan të mbajnë veriun, Mitrovicën, Trepçen, por kjo është e rrezikshme. Edhe në Serbi ka shqiptarë, në Luginën e Preshevës, ata do të dëshironin të ishin pjesë e Kosovës. Në se fillon ndryshimi i kufijve, ku do të përfundojë. Çdo të ndodhë me Republikën Serbe të Bosnjës, çdo të ndodhë me kroatët në Bosnjë, ata do të donin të lidheshin me Kroacinë dhe ajo që do të mbeste, do të ishte një enklavë e vogël boshnjake që nuk do të mbijetonte dot në se Bosnja shpërbëhej. Duhet shumë kujdes me këto. Nga ana tjetër në Kosovë ka patur përparim me pakicën serbe. Njerëzit shpesh harrojnë se shumica e serbëve në Kosovë nuk jetojnë në veri, por në mbarë Kosovën. Ishte gjë e mirë që pjesëmarrja e serbëve u shtua në zgjedhjet në Kosovë. Gjithmonë flas me udhëheqjen në Prishtinë për rëndësinë e mbrojtjes së pakicës dhe se shqiptarët nuk mund t’i trajtojnë serbët, ashtu si serbët i trajtuan shqiptarët gjithë këto vite. Në përgjithësi qeveria në Kosovë po bën një punë shumë të mirë për t’i integruar serbët në shtetin e ri. Unë nuk jam në favor të ndryshimit të kufijve.
“Zëri i Amerikës”