English

Gjermani - Merkel Kërkon Të Luftohet Antisemitizmi, 65 Vjet Pas Përfundimit Të Luftës Së Dytë Botërore

BERLIN, 8 maj /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje sot për të luftuar antisemitizmin dhe që të vazhdohet të flitet për Holokaustin me rastin e 65-vjetorit të fitores së aleatëve mbi Gjermaninë naziste. "Lufta për zhdukjen me rrënjë të antisemitizmit është një sfidë e shoqërisë në tërësi edhe pse shumica e njerëzve nuk mendojnë në mënyrë antisemite", deklaroi zyrtarja konservatore në një intervistë të gjatë për gazetën "Suddeutsche Zeitung". Kancelarja bëri të ditur se do të jetë gjithmonë kundër antisemitizmit edhe pse kjo i ka bërë që t'i vijnë letra ofenduese ku e quajnë "marionetë e komplotit hebre" dhe më tepër akoma. Ajo nxit të flitet pa nervozitet për Luftën e Dytë Botërore dhe për Holokaustin: "Duhet të vazhdojmë përpjekjet që njerëzit ta kuptojnë se janë të domosdoshme për mirëkuptimin e identitetit dhe të së ardhmes sonë bisedat për nazizmin dhe shfarosjen e hebrejve". Përballë një numri gjithmonë e më të kufizuar dëshmitarësh të gjallë, kancelarja, e cila pritet të marrë pjesë nesër në ceremonitë që do të organizohen në Moskë me rastin e 65-vjetorit të fitores së aleatëve në vitin 1945, theksoi rëndësinë e punës me kujtesën. "Minimizimi i Holokaustit mund të lindë nga fakti se flitet shumë pak për këtë kapitull të errët të historisë", paralajmëroi ajo. "Nëse duam të marrim përsipër përgjegjësinë tonë të përjetshme ndaj viktimave, mendoj se kemi një përgjegjësi të veçantë t'i bëjmë njerëzit të njohin historinë tonë". Merkel, lindur në vitin 1945 në Hamburg, në veri dhe rritur në ish-Republikën Demokratike Gjermane, pjesa komuniste, shprehet se janë prindërit e saj, i ati një prift dhe e ëma mësuese e anglishtes dhe latinishtes, që i kanë "treguar hollësi për ekzistencën e Holokaustit". "Mësuesja na ka folur shumë për luftën në katër vitet e para të shkollës. Por, të themi të vërtetën, çështja e shfarosjes së hebrejve nuk përmendej aspak prej saj as atëherë kur vizitonim kampet e përqendrimit", tregon ajo. /I.Pu.
KOMENTE