Jcr Vlerëson Shqiperinë Me Qëndrueshmëri Të Lartë Ne Sistemin Bankar
- JCR Eurasia Rating rivlerëson BKT me notën AAA (Alb)-
TIRANE, 8 Maj /ATSH/- JCR Eurasia Rating, fiIial i Euroaziatik i Agjencisë Japoneze të Vlerësimit, një nga agjencitë më prestigjioze të vlerësimit në botë, ka vlerësuar Shqipërinë me notën 'BB' në terma aftagjatë, duke cilësuar atë me tregues "të qëndrueshme" të sistemit bankar.
Burime nga Banka Kombëtare Tregtare bënë të ditur se, në të njëjtën kohë JCR Eurasia Rating, ka rivlerësuar Bankën Kombëtare Tregtare sh.a. (BKT) me notën 'AAA (Alb)' për një situatë "të qëndrueshme" në terma afatgjatë në nivel kombëtar dhe nivel të lartë të investimit.
AAA (Alb) është nota më e lartë e mundshme brenda një tregu vendas dhe tregon që BKT është institucioni bankar më i besueshëm dhe më i fortë financiarisht në Shqipëri.
JCR-ER ka vërejtur se BKT është institucioni i dytë më i madh bankar në Shqipëri, me një nivel të lartë likuiditeti.
Struktura e saj e depozitave përbëhet nga depozita me terma afatgjatë dhe llogari individuale depozitash. Me gjithë zhvillimet negative në këtë sektor, BKT ka arritur të rrisë bindshëm kuotën e aseteve me 15,39 % krahasuar me vitin e kaluar. JCR-ER thekson gjithashtu se rezultatet e tremujorit të parë 2010 janë në përputhje me të gjitha planet e menaxhimit.
Ky vlerësim bëhet menjëherë pasi BKT fitoi çmimet si "Banka më e mirë për vitin 2009 në Shqipëri" dhe "Banka më e mirë në Evropën Juglindore", çmime këto të dhëna nga revista angleze Finance Central Europe./e.xh/s.s./