English

Kosova, në romanin e ri të Sulejman Krasniqit

Tiranë, 8 maj, NOA /Milena Selimi - Shkrimtari i njohur, Sulejman Krasniqi, sjell në dritë një roman të ri me titull "Rebeli i bajraqeve", pas gati 10 vjetësh nga botimi i romanit të tij "Makthi i hijeve".

Nostalgjik si gjithmonë ndaj Kosovës dhe trimave të saj, ai rievokon historinë e tre brezave të një familje shqiptare të atyre anëve dhe rezistencën e saj të vazhdueshme si ndaj pushtuesit otoman ashtu dhe atij serb.

Motivi i qëndresës së këtij populli që ka lindur me mijëra martirë gjatë dy shekujve të kaluar shërben edhe këtë herë për të mbrujtur subjektin e këtij romani që është padyshim një dëshmi më shumë, ani pse letrare, për historinë e tij.

Sulejman Krasniqi ka lindur më 7 dhjetor 1937, në Hocë të Vogël, komuna e Rahovecit, Kosovë.

Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje. Ka vuajtur burgun serb i akuzuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Vitet e burgut i kaloi në Rahovec, në Prizren dhe në Kallugjerska Bare, në periudhën 07.10.1952-07.10.1953. Më 3 qershor 1958 u arratis për në Republikën Popullore të Shqipërisë.

Ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe, 1963-1967. Ka punuar si mësues i shkollave të mesme në Mat dhe në Tiranë deri në vitin 1982, kur ka dalë shkrimtar në profesion të lirë.

Në shtypin periodik ka shkruar mijëra faqe (skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete etj.) Është laureuar me “Çmimin e Republikës”, dekoruar me “Urdhrin e Punës” nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ka botuar nga viti 1973 romane, novela, radiodrama dhe përmbledhje me esse.

m.s/n.e/NOA
KOMENTE