Bruksel, 8 maj, NOA – Një takim emergjent i Komisionit Evropian zhvillohet në Bruksel ditën e nesërme, i cili do të ketë në rend të ditës përmbushjen e programit të krizës që është gjithëpërfshirës për Evropën pas rastit të Greqisë.
Komisioni do të ketë si detyrë edhe fillimin e planit të kursimeve për shtetet, gjë e cila do të diskutohet më vonë nga ministrat e Financave të 27 vendeve evropiane.
Nga ana tjetër, duke marrë masa radikale vendet e Euros duan të shpëtojnë nga spekulimet edhe monedhën e përbashkët.
Për këtë, ato vendosën përpilimin e rregullave më të forta buxhetore dhe ngritjen e një mekanizmi mbarë-evropian stabilizimi.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha pas një takimi krize të presidentëve dhe kryeministrave evropianë që u mbajt në Bruksel, se kundrejt miratimit të paketës miliardëshe për Greqinë e zhytur thellë në borxhe, ekziston edhe një masë e lartë e spekulimeve kundër Euros.
n.e/NOA