Tiranë, 8 Maj, NOA – Partia Demokratike ka kërkuar sot që Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama të lejoj ekipet e mjekëve për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të grevistëve.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli u shpreh se kreu i PS-së po shkel vendimet e Gjykatës së Strazburgut mbi të drejtat e grevave. Mëhilli ka shtuar se përgjegjësia për jetën e grevistëve nuk do të jetë vetëm e Ramës, por edhe e mjekëve militantë.
“PD i kërkon zotit Rama të bëjë transparencë urgjente, të lejojë ekipet zyrtare shëndetësore të kontrollojnë shëndetin e grevistëve, të mos ketë frikë nga transparenca e gjendjes shëndetësore të tyre sikundër paralajmëron se për çdo cenim të shëndetit të grevistëve përgjegjësia ligjore do të jetë e tij në radhë të parë por dhe e atyre militantëve mjekë që nuk lejojnë as kamerat të filmojnë të sëmurët që ata deklarojnë se i kanë nën mjekim”, u shpreh Mëhilli.
Ajo deklaroi se Rama dhe Gramoz Ruci vazhdojnë të bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët, “duke u dëshmuar kështu shqiptarëve se çfarë janë të aftë të bëjnë në kurriz të shëndetit të njerëzve bllokmenët e rinj me në krye Edi Ramën”.
Partia Demokratike i ka kujtuar kreut të PS-së dhe ligjet ndërkombëtare mbi grevat e urisë.
“Me këtë qëndrim i kujtojmë zotit Rama se po shkel rëndë jo vetëm ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e cila u garanton shërbim shëndetësor gjithë qytetarëve në nevojë të këtij vendi, por po shkel njëkohësisht Konventat e Gjenevës dhe Vendimet e Gjykatës së Strasburgut mbi çështjet e grevës së urisë dhe të burgosurve”, përfundoi deklaratën e saj Mëhilli.
m.xh/NOA