English

Perduca-Krasniqi: Pavarësia E Kosovës, Realitet I Pakthyeshëm

PRISHTINË, 8 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, tha sot në Prishtinë senatori italian Marco Perduca, në një takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, senatori Perduca, anëtar i Partisë Radikale Transnacionale, e cila vazhdimisht mbështet Kosovën në sfidat e saj, vlerësoi lart edhe punën e Qeverisë së Italisë që bën për të reflektuar në njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete të botës, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës, që është një realitet i pakthyeshëm, theksoi ai, është e rëndësishme edhe për Italinë. Perduca u angazhua për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërsa në këtë frymë shprehu gatishmërinë për formimin e Grupit të Miqësisë në mes deputetëve të Kosovës dhe të Italisë. Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi senatorin Perduca për këtë vizitë në Kosovë, duke shprehur njëherësh mirënjohje për kontributin e vendit të tij në mbështetje të Kosovës. Krasniqi theksoi së tashmë Kosovën e kanë njohur 67 shtete-anëtare të OKB-së, ndërsa në këto procese Kosova ka mbështetje të fuqishme nga Italia mike. Krasniqi përshëndeti gatishmërinë e senatorit Perduca për formimin e grupit të miqësisë Itali-Kosovë, duke u shprehur se "ne si shtet i ri aspirojmë të jemi në një të ardhme të shpejtë anëtar i Bashkimit Evropian". /s.s./
KOMENTE