Shkup, 8 maj, NOA – “Dita-ditës qytetarët e Maqedonisë janë dëshmitarë se si po realizohet projekti Shkupi 2014”.
Kështu është shprehur në një konferencë për shtyp, Abedin Zymberi, deputet i Demokracisë së Re në Maqedoni, sipas të cilit, ndërsa vendosen buste 1-nacionale ne sheshin e Shkupit, qeveria i ka transferuar kishës ortodokse maqedonase 10 milion euro në emër të denacionalizmit të pronave.
“Kryeministri dhe mazhoranca qeveritare VMRO-BDI refuzojnë të kthejnë tokën e Burmali Xhamisë në Sheshin e Shkupit. Në Parlament propozojnë ligj për denacionalizim që definitivisht pamundëson kthimin e vakëfeve. Kjo është vetëm një tendencë e tyre që gjer në fund të realizojnë projektet e tyre të cilat haptazi i publikuan të përmbledhura në
“Shkupi 2014”, tha deputeti Abedin Zymberi.
“Zotërinj të BDI-së, nuk keni të drejtë të bëni pazarllëqe për realizimin e enciklopedisë maqedonase dhe “Shkupit 2014”. Nuk keni të drejtë të hiqni dorë nga Burmali Xhamia në Shesh vetëm për dy-tre figura shqiptare sipas shijes së Gruevskit ose të kryetarit tuaj. Këtë ekskluzivitet të vetëmohimit të të drejtave tona kolektive nuk mund ta ketë askush në Maqedoni dhe as kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti”, tha ai.
n.e/NOA