English

Protesta/ Rama: Protesta Jonë, Përpjekja E Vërtetë Që Do Të Ndryshojë Vendin

TIRANË, 8 Maj/ ATSH/- Partia Socialiste me aleatët organizuan sot pasdite protestën e radhës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku prej një tetë ditësh zhvillohet greva e urisë e një grupi deputetësh socialistë dhe mbështetës për transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit. Simpatizantë të PS-së të ardhur kryesisht nga qytetet e Korçës dhe Gjirokastrës, shprehën solidaritet me grevistët e ngujuar në çadrat e vendosura para kryeministrisë. Kryetari i PS-së, Edi Rama u shpreh se "protesta e PS-së është përpjekja e vërtetë që do të ndryshojë vendin". Duke i quajtur grevistët opozitarë, misionarë të lirisë, ai tha se "beteja e tyre por edhe e gjithë socialistëve nuk do të ndalet. Arsyeja e stërmundimit të tyre është mungesa e transparencës së atyre kutive që buron nga ky pushtet, rrënimi i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe ekonomisë". Duke ftuar qytetarët të marrin pjesë ditën e nesërme në manifestimin e orës 10:00, kryesocialisti Rama kujtoi se nesër është dita triumfit mbi fashizimin. Ai tha mes të tjerave, se "nesër është dita për qënë pranë kësaj çadre që është dëshira më e gjallë dhe e fuqishme e dashurisë për lirinë, vullnetit për të kërkuar Europën dhe për ta ndërtuar atë mes nesh". Protestuesit i përshëndetën drejtues të partive të tjera opozitare dhe deputetë të PS-së, të cilët ripërsëritën vendosmërinë për vazhdimin e grevës, deri ne plotësimin e kushteve të paracaktuara për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit./s.d//n.m/
KOMENTE