English

Puna E Fëmijëve-Ilo: Nevojitet Rigjallërimi I Fushatës Globale

- Publikohet raporti i fundit global- TIRANE, 8 Maj/ATSH/.- Midis shqetësimeve në rritje mbi ndikimin e rënies ekonomike, Zyra Ndërkombëtare e Punës (ILO), në një studim të fundit të saj, paralajmëroi se përpjekjet për të eliminuar format më të këqija të punës së fëmijëve po ngadalësohen, duke bërë thirrje për rigjallërimin e fushatës globale për t'i dhënë fund këtij fenomeni. Në raportin e saj, që pregatitet një herë në katër vjet, ILO deklaroi se numri global i fëmijëve që punojnë është zvogëluar nga 222 milion në 215 milion, ose 3 për qind gjatë periudhës 2004-2008, duke bërë që të ketë "një ngadalësim të reduktimit në nivel global". Raporti gjithashtu shpreh shqetësimin se kriza ekonomike globale do të "pengojë më tej" progresin drejt synimit për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve deri më 2016. "Progresi është i ndryshëm, por jo i njëjtë, as i shpejtë dhe as mjaftueshëm gjithëpërfshirës, mjaftueshëm për të arritur qëllimet që ne kemi vendosur", vë në dukje Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Juan Somavia. Rënia ekonomike, sipas tij, nuk mund të shërbejë si justifikim për zvogëlimin e ambicieve dhe mos veprim. "Në të kundërt, ajo ofron mundësinë për të zbatuar masat e duhura për njerëzit, rigjallërimin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm". Raporti i ri i ILO-s, i titulluar "Përshpejtimi i veprimeve kundër punës së fëmijëve", vjen në prag të Konferencës Globale mbi Punën e Fëmijëve, organizuar nga Qeveria Holandeze në Hagë në bashkëpunim me ZNP (ILO) (që do te mbahet ne 10-11 maj). Somavia deklaroi që shtysa për veprim do të shërbejë si nxitje për Konferencën Globale, e cila mund të konsiderohet një "udhërrëfyes" për eliminimin e punës së fëmijëve. -Tendencat që prej vitit 2006 Lajmi i mirë rezulton në faktin që tendenca e reduktimit të fenomenit është ruajtur: sa më e rrezikshme puna dhe sa më vulnerabël fëmijët e përfshirë në të, aq më i shpejtë është reduktimi i fenomenit. Gjithsesi, vlerësohet se rreth 115 milion fëmijë janë akoma të ekspozuar ndaj punëve të rrezikshme. Raporti i paraqet të dhënat sipas moshës dhe gjinisë. Progresi ishte më i madh ndërmjet fëmijëve të grup moshës 5-14, ku numri i fëmijëve që punonin ra me 10%. Numri i fëmijëve të përfshirë në punët e rrezikshme në këtë grup-moshë ra 31%. Fenomeni në radhët e femrave ra në mënyrë të konsiderueshme (me 15 milion ose 15 për qind). Gjithsesi, ai u rrit në radhët e meshkujve (me 8 milion ose 7 për qind). Për më tepër, fenomeni i punës së fëmijëve në radhët e të rinjve të grup-moshës 15 deri në 17 u rrit me 20 për qind, nga 52 milion në 62 milion. Constance Thomas, Drejtore e Programit Ndërkombëtar të ZNP (ILO) "Për eliminimin e punës së fëmijëve" (IPEC), nënvizon se "fenomeni i punës së fëmijëve përgjithësisht i ka rrënjët në varfëri". Sipas saj, "mënyra për ta zhdukur problemin është e qartë. Ne duhet të garantojmë që të gjithë fëmijët të kenë shansin për të shkuar në shkollë, ne duhet të kemi sisteme të mbrojtjes sociale që mbështesin familjet në nevojë, veçanërisht në periudha krizash, dhe ne duhet të sigurohemi që të rriturit të kenë shansin për një punë të denjë. Këto masa, të kombinuara me zbatimin efektiv të ligjeve në mbrojtje të fëmijëve, sigurojnë ecjen përpara". Programi i ZNP (ILO) "Për eliminimin e punës së fëmijëve ( IPEC) u lançua në vitin 1992, dhe në vitet 2008-09, u bë operacional në mbi 90 vende. Konferenca globale që do zhvillohet në Hagë më 10-11 Maj do të mbledhë 450 delegatë nga 80 vende, midis te cilave edhe Shqipëria. Takimi do të shërbejë si një platformë për lançimin e një raporti nga ILO, Banka Botërore dhe UNICEF. Raporti "Bashkimi i përpjekjeve kundër fenomenit të punës së fëmijëve- Raport i agjencive për Konferencën Globale të Hagës mbi Punën e fëmijëve, 2010", bën thirrje që fenomeni i punës së fëmijëve të vihet në qendër të axhendave kombëtare të zhvillimit, duke shërbyer si tregues i faktit që ekzistenca e fenomenit përbën një pengesë për zhvillimin e vendeve./e.gj/s.s./
KOMENTE