Tiranë, 8 maj, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pas kthimit nga vizita e tij në Bruksel u shpreh për mediat, se është i gatshëm për dialog me mazhorancën, por për një dialog që nis nga transparenca.
“Ne, jo vetëm jemi të gatshëm të dialogojmë për të gjetur rrugën e zgjidhjes, por edhe kemi bindjen se e vetmja rrugë e zgjidhjes është rruga e transparenca”, u shpreh Kryetari i PS. Deklarata e Ramës u bë sot gjatë vizitës që u bëri grevistëve të shtruar në spital.
Kryetari i Partisë Socialiste komentoi dhe vizitën e tij dje jashtë vendit për të takuar autoritete të Bashkimit Europian. Kreu i PS-së hodhi poshtë zërat se ka qenë në Paris, duke theksuar se ka takuar njerëzit që duhet të takonte dhe t'i informonte për situatën politike në vend.
I pyetur për lajmin se ai nuk ka qenë në Bruksel, por në Paris, Rama u përgjigj se “shpirti më kërkon fjalë të shqipes që s’thuhen”. Ndërsa shtoi se “në respekt të asaj detyre që kisha, unë informova ata që duhej”.
m.xh/NOA