Rusi - Putini Vendos Gurin E Parë Të Monumentit Të Ushtarëve Gjeorgjianë Në Moskë
MOSKË, 8 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri rus Vladimir Putin mori pjesë sot në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë në monumentin për ushtarët gjeorgjianë të ushtrisë sovjetike që do të ndërtohet në Moskë pas shkatërrimit të tij në Gjeorgji, duke dënuar "vandalizmin" e presidentit Mikhail Sakashvili.
"Vandalët politikë nuk kanë respektuar kujtimin e etërve të tyre, ata shkatërruan monumentin, fyen të gjithë ata që prehen në varret e përbashkëta në malet e Kaukazit në Elbe", deklaroi Putini i cituar nga televizionet ruse, që transmetuan pamje.
Monumenti sovjetik kushtuar Luftës së Dytë Botërore u shkatërrua në dhjetor në qytetin gjeorgjian Kutaisi me urdhërin e presidentit gjeorgjian properëndimor Mikhail Sakashvili. Kjo ka sjellë zemërimin e Rusisë, ndërkohë që Moska dhe Tbilisi vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të acaruara për shkak të luftës së gushtit të vitit 2008.
Vladimir Putini urdhëroi menjëherë rindërtimin e tij në Moskë të memorialit Poklonaia Gora, ku ndodhej edhe një muze i Luftës së Dytë Botërore.
Putini, ish-president i Rusisë nga viti 2000 deri në vitin 2008, theksoi se Rusia është e gatshme për një dialog me të gjitha forcat konstruktive të Gjeorgjisë.
/I.Pu.