Sejdiu: Gjermania Mbeshtet Fuqishem Kosoven Dhe Pavaresine E Saj
PRISHTINË, 8 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Gjermania mbështet fuqishëm Kosovën dhe pavarësinë e saj, vlerësoi sot Presidenti Fatmir Sejdiu pas kthimit nga vizita zyrtare atje, me ftesë të Presidentit gjerman, Horst Kohler.
Vizitën në Gjermani, Presidenti Sejdiu e cilësoi si jashtëzakonisht të suksesshme dhe të një rëndësie të veçantë.
"Ishte një vizitë me peshë të veçantë, një mikpritje e jashtëzakonshme dhe një konfirmim i fuqishëm i Gjermanise për të mbështetur Republikën e Kosovës, që u reflektua në takimet me Presidentin Kohler, me Kancelaren e shtetit, zonjën Merkel, me ministrin e Jashtëm, Guido Westerwelle dhe me kryetarin e Parlamentit, z. Norbert Lammert", tha Sejdiu.
"Kjo vizitë vjen në kuadër të mbështetjes së fuqishme që i jepet Kosovës dhe konfirmim në mbështetjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës", tha Sejdiu para mediave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke renditur këtë qëndrim, të njëjtë si e SHBA, Francës, Mbretërisë së Bashkuar.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se ka marrë konfirmimin për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë dhe se udhëheqësit e saj do të vazhdojnë lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës nga të tjera shtete.
"Ishte një konfirmim i veçantë për mbështetjen e njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës tek të gjithë miqtë ku Gjermania mund të kete influencën e vet, si dhe mbështetjes së saj në aspektin e zhvillimit ekonomik", vijoi Presidenti kosovar.
Sejdiu tha se vizita në Gjermani dëshmoi edhe për një epokë të re të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore, duke pasur parasysh dhe investimet e veçanta që ky shtet ka bërë për qytetarët e Kosovës për periudha të gjata kohore. /a.ke//n.m/