English

Shba - Rreth 40 Të Plagosur, 18 Prej Të Cilëve Rëndë Në Një Aksident Me Traget

NJU JORK, 8 maj /ATSH-AFP/ - Një aksident me traget të linjës Manhatan/Staten Island dhe që po përpiqej të ankorohej shkaktoi rreth 40 të plagosur, 18 prej të cilëve rëndë sot në Nju Jork, njoftuan autoritetet. "Të paktën 18 persona janë plagosur rëndë dhe 20 të tjerë kanë plagë të lehta", i deklaroi AFP-së Frank Dwyer, zëdhënës i skuadrave të ndihmës së shpejtë të Nju Jorkut, rreth 100 anëtarë të të cilëve merrnin pjesë në operacione shpëtimi. Aksidenti ndodhi në orën 09:25 (13:25 GMT). Anija transportonte 252 pasagjerë. "Trageti u përplas me skelën ndërsa përpiqej të ankorohej", shpjegoi një zëdhënës i policisë. Një aksident i ngjashëm ndodhi në të njëjtën linjë në vitin 2003, duke shkaktuar 11 të vdekur. Sipas bashkisë së Nju Jorkut, shërbimi i tragetit të Staten Island, mjaft i frekuentuar nga turistë, transporton 20 milionë persona në vit. /I.Pu.
KOMENTE