Sport/ Presidentët E Superligës, Hedhin Hapin E Parë Për Krijimin E Ligës Profesioniste
TIRANË, 8 maj /ATSH- Gjergji Mima/- Presidentët e klubeve shqiptare hodhën hapin e parë drejt krijimit të Ligës Profesioniste në Shqipëri, pas mbledhjes të zhvilluar mbrëmë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në mbledhjen që zgjati 3 orë, u vendos që kryetar i Komisionit të Kategorisë Superiore të zgjidhet presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Kjo shënon hapin e parë drejt Ligës, pasi brenda një viti duhet të hartohet Statuti i saj dhe të bëhet regjistrimi në Gjykatë.
"Ky ishte një hap pozitiv, por duhet ende një punë e madhe, pasi duhet hartuar Statuti dhe të regjistrohet në Gjykatë, në mënyrë që Liga të marrë formën e saj ligjore", sqaroi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.
"Presidentët patën shumë mendime ndryshe dhe kuptohet shumë debate, megjithatë ne e quajmë hap pozitiv. Mbledhja e parë e Komisionit të krijuar do të mbahet pas përfundimit të këtij sezoni, pasi nuk mund të ndryshojmë rregullat në mes të tij, ndërkohë që kompetencat do të jenë më shumë këshillimore", u shpreh Prodani.
Mbledhja e presidentëve, ku ishin të pranishëm presidenti i Tiranës, Refik Halili, ai i Vllaznisë, Valter Fushaj, kreu i Besës, Nexhat Bizhdili, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, zëvendëspresidenti i Dinamos, Avni Braçe, presidenti i Gramozit, Mustafa Taçi, ai i Laçit Pashk Laska si edhe trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, është shoqëruar me debate të forta gjatë tre orëve të zhvillimit të saj.
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka kërkuar që kur të vijë momenti te Liga, kreu i saj të zgjidhet me votim unanim.
I pyetur pas mbledhjes nëse klubet janë gati që të marrin në dorë kompetenca të rëndësishme të Federatës, si zgjedhja e dizenjatorit të arbitrave apo gjëra të tilla të ngjashme, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, u përgjigj pozitivisht, por sipas tij, klubet duan të ruajnë të drejtën për të bërë propozime.
Ndërkohë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, e quajti një hap tepër pozitiv këtë mbledhje. "Kam 10 vjet president dhe kjo është hera e parë që ne bëhemi bashkë", u shpreh ai, duke shtuar se më duket një hap pozitiv përpara për të patur një futboll më të mirë./s.s./