Sport-Taekwondo/ Sportistët Shqiptarë Rrezikojnë Pjesëmarrjen Në Kampionatin Evropian
TIRANË, 8 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Sportistët shqiptarë të Taekwondo-s janë ftuar në kampionatin evropian të Taekwondo-s nga Federata Evropiane e Taekwondosë, që zhvillohet në 12 maj në Shën Petersburg (Rusi).
Por sipas presidentit të Federatës shqiptare të Taekwondosë dhe Kick Thai-Boxit (FSHKT), Fatmir Bardhoci, "sportistët shqiptarë rrezikojnë pjesëmarrjen në këtë aktivitet pasi nuk po arrijnë të marrin fondet e duhura".
"Kemi bërë kërkesë për mbështjeje financiare për këtë aktivitet nga KOKSH, por ende nuk po marrim përgjigje, pasi megjithëse njihemi nga institucionet ndërkombëtare, KOKSH nuk pranon të na ndihmojë", tha për ATSH-në, Fatmir Bardhoci.
"Kemi dërguar një letër me disa kërkesa në KOKSH dhe MTKRS", tha Bardhoci, "ku kërkojmë njohjen e kryesisë së Asamblesë së Jashtëzakonshme të 14 janarit. Kërkojmë që sporti olimpik i Taekwondo-s të futet në listën e sporteve cilësore, pasi me rezultatet e arritura e justifikon këtë. Gjithashtu kërkojmë lejimin e ekipeve kombëtare të FSHTK për të marrë pjesë në aktivitetet evropiane, ku kemi marrë ftesa. Dhe kërkojmë që të mos ekzistojnë federata paralele të Taekwondo në Shqipëri".
Sipas Bardhocit, "FSHTK do të zhvillojë edhe një protestë përpara KOKSH-it ditën e hënë, nëse sportistët shqiptarë të taekwëondosë nuk do të mbështeten në pjesëmarrjen e tyre në këtë kampionat evropian".
Federata shqiptare e Taekwondo & Kick-Thaibox mori emertimin me 14 janar 2010 si rrjedhojë e bashkimit të federatës shqiptare të Taekwondos (WTF) dhe Shoqatës Kombëtare shqiptare të Kick-Thaibox.
Ajo tashmë drejtohet nga presidenti ekzekutiv, mjeshtri ndërkombëtar "5 Dan", Fatmir Bardhoci dhe ka si president nderi,14 herë kampionin e botës në Thaibox, Azem Maksutaj.
Kjo federatë u njoh menjëherë nga federatat evropiane dhe botërore, ndërsa vazhdon të njihet edhe nga federatat e tjera të sporteve dhe rajoneve përkatëse./n.m/