Sport-Tenis/ Shqipëria Për Herë Të Parë Pjesëmarrëse Në Kupën Devis
- Shqipëria ndodhet në grupin e tretë evropian. Federata nis përgatitjet për evenimentin prestigjioz botëror -
TIRANË, 8 Maj/ ATSH- Gjergji Mima/- Edhe Shqipëria do të ketë përfaqësuesen e saj në turneun ekipor prestigjioz të tenisit "Kupa Devis", që fillon të hënën në Greqi. Me iniciativën e Federatës Shqiptare të Tenisit, më në fund është bërë realitet pjesëmarrja për të parën herë në këtë eveniment botëror, me katër tenistë.
Trajneri i ekipit kombëtar, Fatos Nallbani, u shpreh për ATSH-në se "federata mori "ok"-in nga ndërkombëtarët pasi kishte plotësuar një seri kriteresh, siç ishin infrastruktura e qendrave stërvitore, pjesëmarrja e sportistëve në arenën ndërkombëtare, rezultatet e arritura në turne si brenda e jashtë vendit, përfaqësimi me mosha, numri i klubeve të licencuar etj".
Nallbani u shpreh entuziast për këtë arritje të tenisit shqiptar. "Pas shumë kohësh edhe Federata Shqiptare e Tenisit do të ketë delegacionin e saj në Kupën Devis. Padyshim që ky moment është i rëndësishëm dhe historik jo vetëm për Federatën, por për sportin shqiptar në tërësi", tha Nallbani, duke shtuar se në përbërje të kombëtares do të jenë katër tenistë.
E themeluar në vitin 1985, Federata Shqiptare e Tenisit u bë anëtare e ITF (Federata Botërore e Tenisit) dhe ETA (Federata Europiane e Tenisit), duke hapur një erë të re në historinë e tenisit shqiptar.
Kupa Devis është turne ndërkombëtar, që zhvillohet në nivel ekipor për meshkuj dhe e licencuar nga Federata Botërore e Tenisit (ITF). Shqipëria ndodhet në grupin e tretë evropian në një vazo me Andorën, Armeninë, Greqinë, Islandën, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi dhe San Marinon.
Shteti me më shumë trofe të fituara në historinë e "Kupës Devis" është Amerika, plot 32 të tillë, e ndjekur në vend të dytë nga Australia, e cila e ka fituar 28 herë këtë trofe. Kampionia në fuqi e "Kupës Devis" është kombëtarja spanjolle. Sezonin e kaluar iberikët mundën në finale përfaqësuesen amerikane./s.s./