Tuneli I Thirrës Në Autostradën Durrës-Kukës-Morin, Gati Më 21 Maj
-Deklaron zv/ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka-
TIRANE, 8 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Tunel i Thirrës, në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, do të jetë gati me 21 maj , tha të shtunën për ATSH-në, zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka.
"Duke llogaritur se një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë dhe e emigrantëve shfrytëzojnë këtë tunel për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim", tha Noka.
Sipas tij, tuneli ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe është në proces asfaltimi, ndërsa po punohet edhe për instalimin e të rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj.
Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi".
Kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas.
Autostrada Durrës-Kukës-Morin, 170 kilometra e gjatë, që u vu në punë në 25 Qershor 2009, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa rriti ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve në sezonin veror.
Pjesë e autostradës Durrës-Morin është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli Thirrë- Kalimash dhe anasjelltas, i hapur në një masiv shkëmbor, ka dy hyrje veriore dhe jugore, me gjatësi 5.6 kilometra secila.
Ndërtimi i kësaj autostrade përfshiu përveç dy tuneleve paralele me nga 5.5 km gjatësi edhe 29 ura. Afro 4.5 km rrugë është mbi ura dhe struktura deri në 80 m lartësi. E gjithë kjo vepër inxhinierike madhore u ndërtua nga kompania amerikano- turko Bechtel & Enka.
Autostrada e re, e konsideruar si një vepër gjigande, kalon në Durrës-Vorë-Fushë Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morin. Gjatësia totale e kësaj autostrade llogaritet 170 km, nga të cilat 111 km rrugë e re./s.s./