English

Austri - 9 Maj - Një Ceremoni Në Kampin Mathausen Me Rastin 65-Vjetorit Të Luftës Së Dytë Botërore

MATHAUSEN, 9 maj /ATSH-AFP/ - Sot në Mathausen, në veri të Austrisë, u zhvillua një ceremoni me praninë e ish-të deportuarve dhe të kancelarit Werner Faymann me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të kampit nazist, ku rreth 100 000 të burgosur kanë vdekur në periudhën 1938-1945. Këtë vit, komitet e ndryshme Mauthausen e kanë vënë theksin tek fëmijët dhe të rinjtë e burgosur në kamp. Gjatë regjistrimit të fundit të kryer nga SS-të përpara çlirimit të kampit nga ushtria amerikane, 15 000 të burgosur ishin nën 20 vjeç. Adoleshentët e parë, fëmijë të republikanëve spanjollë, janë deportuar në vitin 1940. Duke filluar nga viti 1943, disa adoleshentë polakë dhe sovjetikë janë dërguar në Mauthausen për punë të detyruar. I hapur në gusht të vitit 1938 nga SS-të, pesë muaj pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste, kampi ishte një instrument i politikës së terrorit të regjimit nazist. Fillimisht në të u dërguan të burgosur austriakë dhe gjermanë, më tej nga e gjithë Evropa: opozitarë, hebrej, romë, homoseksualë, të burgosur lufte. Në Mathausen janë burgosur 200 000 persona. Rreth 95 000 deri 100 000 të burgosur kanë vdekur, viktima të urisë, sëmundjeve, të mbytur në dhomat me gaz ose të ekzekutuar. Kampi dhe rreth 50 anekset e tij të shpërndarë në të gjithë territorin e Austrisë aktuale, kishte edhe një funksion ekonomik që është forcuar me vitet e luftës. Të burgosurit ishin të detyruar të punonin në guroret aty rrotull në kushte mjaft të vështira. Duke filluar nga viti 1942, të burgosurit janë dërguar në industrinë e armatimit. /I.Pu.
KOMENTE