Tiranë, 9 maj, NOA – “Dilni nga kafazi, dilni nga kutia dhe luftoni për një Shqipëri që do idealin evropian”.
Me këto fjalë kryeministri Berisha u është drejtuar publikisht sot grevistëve të Partisë Socialiste që nga Paskuqani, ku ka qenë për disa inaugurime, duke theksuar në fjalën e tij “se sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të përkushtuar ndaj idealit evropian dhe vlerave evropiane”.
“Kjo pasi jemi më afër se kurrë shndërrimit të tij në realitet dhe askush nuk duhet ta pengojë këtë ëndërr të hershme të shqiptarëve”, tha më pas kreu i qeverisë.
Në këtë mënyrë, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë këtyre ditëve të grevës së urisë së opozitarëve poshtë godinës së qeverisë, kryeministri Berisha as që ka dhënë ndonjë sinjal reagimi për hapjen e kutive, por u ka bërë thirrje socialistëve që të dalin prej tyre, në mënyrë që të mos pengojnë idealin dhe ëndrrën evropiane.
Sipas tij, falë punës së bërë nga qeveria, vendi tani është shumë pranë liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe prandaj opozita nuk duhet ta pengojë një proces të tillë.
n.e/NOA