Tiranë, 09 Maj, NOA – Kryetari i Partisë për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në mitingun e sotëm të Partisë Socialiste është ndalur në integrimin e vendit në Europë, duke theksuar se Shqipëria është e fundit në rajon në plotësimin e kushteve për të qenë pjesë e BE.
Dule, në fjalën e tij ka theksuar se, protestat e opozitës për standarde demokratike do ta çojnë vendin më përpara drejt realizimit të ëndrrës evropiane.
Ai u shpreh se vetëm organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të bëjë që vendit të radhitet mes demokracive moderne. Duke u ndalur në motivet e protestës, Dule theksoi se qytetarët shqiptarë duan që të “bëhen qytetarë të denjë dhe të barabartë të kësaj Europe. Jemi ne që do organizojmë zgjedhje të reja e të ndershme. Jemi ne që do ndërtojmë qeverinë e qytetarit europian”, u shpreh kreu i PBDNJ-së.
Në fjalën e tij, Dule u ndal dhe në ato që ai i cilësoi si dështimet e qeverisë aktuale, duke theksuar se kjo qeveri po e mban vendin larg Bashkimit Europian.
“Ne nuk jemi as anëtarë, as kandidatë për në BE. Ne na kanë lënë në të fundit, jo se nuk na duan e nuk i duam, por na ka lënë në fund qeveria jonë”, tha Dule.
m.xh/NOA