Durres: Kengetari Sherif Merdani, Sukses Ne Spektaklin "Ku Me Mbete Ti, Rinia Ime?"
DURRES, 9 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Këngëtari i njohur i fillimviteve 1970, Sherif Merdani, ka sjellë mbrëmjen e se shtunes në sallën e teatrit "Aleksanmdër Moisiu" të Durrësit një buqetë me krijime të hershme dhe të reja në spektaklin e titulluar "Ku më mbete ti, rinia ime ?".
Artdashësit durrsakë kanë rikujtuar së bashku me këngët e Merdanit edhe një copë jete të vështirë nën diktaturën komuniste, e cila vetëm për shkak të pasionit për këngën i mori artistit të talentuar 16 vjet nga rinia e tij, duke e izoluar në disa nga burgjet e tmerrshme të viteve 1970-1980.
Timbri rinor dhe vokali i shkëlqyer i këngëtarit 66-vjeçar Sherif Merdani edhën të freskëta te shikuesit, të cilët duartrokitën intepretimin e këngëve të njohura "Nënës", "Duart e tua", "Kartolina", "Sot në ora 7", "Takim pas vitesh", apo disa nga krijimet më të mira të grupit britanik "Beatless", yllit amerikan Elvis Presley si dhe këngët italiane të Albanos, Morandit dhe Ranierit.
Aktori Mirush Kabashi, i ftuar në spektakël, kujtoi prezantimin e parë të Merdanit në TV shqiptar pas një mungese gati 20-vjeçare, ndërsa interpretoi për artdashësit edhe poezinë "Poçari" të Dritëro Agollit.
Merdani këndoi për herë të parë këngën "Emigranti", krijim i autorëve durrsakë Zihni Beqiraj dhe Vasillaq Papaj. Në spektaklin e Sherif Merdanit nuk munguan edhe të ftuar të tjerë të rinj si këngëtari lirik Julian Gjojdeshi apo artistët e shoqatës "Art & progres", e cila është formuar pak ditë më parë në qytetin brgedetar.
Një javë më parë, Sherif Merdani, i cili aktualisht punon si diplomat, është nderuar nga Presidenti i Republikës me urdhërin "Mjeshtër i madh i punës" për kontributin e dhënë në muzikën shqiptare. /a.ke/