English

Ekonomi - Greqi - Ekspertë Evropianë: Ekonomia Do Të Rifillojë Rritjen Në Vitin 2012

ATHINË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Greqia do të ketë një recesion "relativisht të shkurtër" dhe do të rifillojë me rritjen ekonomike në vitin 2012, u shpreh sot në shtypin grek shefi i ekipit të ekspertëve të dërguar nga Brukseli për të mbikëqyrur financat greke. "Aktiviteti ekonomik do të bjerë ndjeshëm në vitin 2010 dhe do të tkurret edhe më tepër në vitin 2011, por më tej parashikojmë një rritje dinamike", deklaroi për të përditshmen "Kathimerini", Servaas Serooose, nëndrejtor i drejtorisë së përgjithshme të çështjeve ekonomike dhe financiare të Komisionit Evropian. "Periudha e recesionit do të jetë relativisht e shkurtër", bëri të ditur ai. Ekonomia greke pritet të rrudhet me 4 për qind këtë vit dhe me 2,6 për qind në vitin 2011, nën efektin e planit të shtrëngimit të rripit të miratuar nga qeveria, që parashikon rritje taksash dhe zvogëlime të pagave dhe pensioneve me qëllim zvogëlimin e deficitit publik. Servaas Seroose bënte pjesë në një mision të dërguar në Athinë nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, BCE, dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, që i akorduan Greqisë një ndihmë prej 110 miliardë euro brenda tre vjetëve. "Greqia do t'i mbajë premtimet dhe partnerët e zonës euro do t'i mbajnë gjithashtu premtimet lidhur me nivelin e financimit. Nuk ka të dhëna se fondet e disponueshme do të zvogëlohen", deklaroi ai. Një anëtar tjetër i misionit tripalësh, Paul Thomsen, përfaqësues i FMN-së, bëri të ditur në "Kathimerini" se programi do të hartohet në funksion të përparimeve të bëra nga ekonomia greke. "Do të bëhen disa rregullime të vogla aty-këtu, sepse është gjithmonë e vështirë të parashikohet përqindja e saktë e rritjes së një vendi", deklaroi Thomsen. "Në të gjitha programet dhe jo vetëm në atë për Greqinë, paratë do të jepen me transhe çdo tre muaj dhe me kushte që objektivat ekonomikë specifikë të arrihen", bëri të ditur ai. /I.Pu.
KOMENTE