English

Ekonomi - Rumani - Marrëveshje Me Fmn-Në Për Një Deficit Publik Prej 6,8 Për Qind

BUKURESHT, 9 maj /ATSH-AFP/ - Qeveria rumune dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, arritën një marrëveshje për një deficit publik prej 6,8 për qind në vitin 2010, në rritje prej rreth një pikë në krahasim me përqindjen e parashikuar fillimisht, njoftoi sot ministri i Financave Sebastian Vladesku. Rritja ekonomike pritet të jetë "rreth zero", kundrejt një përqindjeje që më parë ishte 0,8 për qind", shtoi Vladesku në përfundim të një takimi me përfaqësuesit e FMN-së. Ky njoftim bëhet pas më tepër se 10 ditë bisedimesh të vështira mes Bukureshtit dhe FMN-së lidhur me mënyrat për zvogëlimin e shpenzimeve publike dhe përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, ndërkohë që Bukureshti po has në vështirësi gjithmonë e më të mëdha në pagesën e rrogave dhe pensioneve. Presidenti Traian Basescu njoftoi të enjten masa shumë të rrepta, që përfshijnë një zvogëlim prej 25 për qind të pagave në sektorin publik dhe 15 për qind të pensioneve dhe të ndihmave për papunësinë, në këmbim të një transhi të ri, prej 850 milionë eurosh, nga huaja e përgjithshme prej 20 miliardë eurosh akorduar nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian. Pas kësaj marrëveshjeje me dhënësit e fondeve, Bukureshti u angazhua për zvogëlimin e deficitit nga 7,2 për qind në vitin 2009 në 5,9 për qind këtë vit. FMN-ja pritet të njoftojë nëse është dakord lidhur me disbursimin e këtij transhi prej 850 milionë eurosh. Presidenti rumun Traian Basescu u kërkoi sot rumunëve të tregohen realistë për të parandaluar një skenar grek. /I.Pu.
KOMENTE