English

Ekonomi - Suedia Nuk Përjashton Pjesëmarrjen Në Fondin Për Zonën Euro

BRUKSEL, 9 maj /ATSH-AFP/ - Suedia nuk përjashton të marrë pjesë, duke dhënë garancinë e saj, në Fondin e urgjencës i parashikuar për të ndihmuar vendet e zonës euro edhe pse ajo nuk bën pjesë në të, deklaroi sot ministri i Financave, ndërkohë që Britania e Madhe, e kundërshtoi këtë pjesëmarrje. "Nuk përjashtoj asgjë", deklaroi Anders Borg, i pyetur për një pjesëmarrje të mundshme në mekanizëm. "Do të jem gati të shqyrtoj çdo opsion që do të forconte burimet e përbashkëta", u shpreh ai përpara shtypit pas mbërritjes në mbledhjen me homologët evropianë. "E di se mbi të gjitha ky është një problem i Eurogrupit. Janë disa vende të eurogrupit që kanë krijuar probleme dhe sigurisht që taksapaguesit tanë nuk do të paguajnë për grekët. As që bëhet fjalë për këtë", shtoi ai. "Por, ne kemi nevojë për burime për të ndaluar shqetësimin në tregje", theksoi ai, sepse "nëse kjo vazhdon më tepër se disa ditë, do të jetë shumë e vështirë për ta marrë përsëri veten". Ministri britanik i Financave, Alistair Darling, njoftoi më parë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të japë garancinë e saj për Fondin e urgjencës. "Të jemi shumë, shumë të qartë: nëse ka një propozim për krijimin e një fondi stabilizimi për euron, kjo duhet të jetë kompetencë e vendeve të Eurogrupit", deklaroi ai. Ministrat e Financave të 27 vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot pasdite për të diskutuar lidhur me projektin e krijimit të një "Fondi stabilizimi të zonës euro" që synon dhënien e huave nga BE-ja vendeve që përdorin monedhën unike dhe që janë në vështirësi. /I.Pu.
KOMENTE