English

Elbasan: "Fushe Mbreti", Kosove E Vogel Ne Periferi Te Qytetit

T ELBASAN, 9 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/.- Dikur aty nga vitet 1925 - 1930 një pus i vetmuar furnizonte me ujë të pijshëm dy - tre ndërtesa që ngriheshin në nje fushëtirë rreth pesë kilometra në jug-perëndim të Elbasanit, pronë e dikurshme e beut Shefqet Vërlaci. Sot ky vend quhet Fushë Mbret. Një emër ky që tregonte pronarin e ri, Mbretin Zog të kësaj fushëtie, pas rekuizimit që pasoi prishjen e krushqisë mes Zogut dhe Vërlacit. "Pikërisht në këtë vend pas shtypjes së kryengritjes së kosovarëve të udhëhequr nga Azem dhe Shote Galica u strehuan këtu qindra familje kosovare që i shpëtuan represionit serb. Sot Fushë Mbreti, me emrin e ri, lagja " Skënderbej", me shtrirjen e madhe të saj, është bashkuar me qytetin dhe bën pjesë si lagje e tij. Por, banorët vazhdojnë ta ruajnë traditën e dikurshme të pemtarisë. Por, kjo është e pamjaftueshme për mbijetesë, kështu që banorëve iu desh të perfeksionoheshin në artin e të ndërtuarit të mobiljeve, në mënyrë të veçantë të divanëve. Dhe kjo vetëm pas ardhjes së demokracisë. Prodhimet e duarve të tyre gjejnë treg shitje jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por edhe në Korçë, Fier, Gramsh e qytete të tjera të Shqipërisë. Duke vështruar vilat e bukura në këtë lagje të shkon mendja menjëherë tek origjina e të ardhurave. Ajo nuk ka lidhje me trafiqe të pandershme. Burimi i saj është vetëm djersa dhe shkathtësia e këtyre banorëve për t'iu përshtatur kushteve të reja të ekonomisë së tregut. Këta banorë të palodhur, duke përfituar edhe nga infrastruktura moderne e viteve të fundit, mbushin çdo vit tregun e qytetit me fidane të ndryshëm drurësh frutorë, me prodhime frutash e nënprodukte të tyre, si edhe me mobilje të përpunuara mjeshtërisht në ato dhjetra punishte të vogla me të punësuar brenda familjes. Sabire Igrishti ka lindur dhe është rritur në këtë lagje. Prindërit e saj, kur erdhën nga Kosova, zotëruan vetëm një copë toke bujqësore, që edhe ajo iu mor pas ngritjes së fermës. Edhe pse mbi dhjetë orë punë në ditë blloqeve frutorë të fermës, të ardhurat mezi i mjaftonin për një jetesë të thjeshtë. Kurse sot familja e saj, ka ngritur një punishte të specializuar vetëm për prodhimin e divanëve. "E shikoni këtë vilë, na thotë Sabireja, në rininë time as që mund ta imagjinoja. Kurse tani falë ndryshimeve të mëdha demokratike, i pata të gjitha mundësitë jo vetëm për ta ngritur, por edhe për ta mobiluar si s'ka më mirë. Bëjmë një jetë të thjeshtë, por të ngarkuar me punë të ndershme. Ndjen kënaqësi kur i gëzon vetë frutet e kësaj pune", thotë Sabireja. Kjo lagje që dikur përbënte një "geto" të qytetit të Elbasanit, sot konkuron denjësisht me qendrën e këtij qyteti gjithnjë e në zhvillim. Dhe kjo falë punës së palodhur dhe të ndershme të banorëve të saj. /a.ke/
KOMENTE