France -Java Shqiptare E Kultures " Nga Lorienti Ne Orient 2010 "
FRANCE -LORIENT 9 Maj /ATSH/- Ndoshta ka qenë rastësia që ka shërbyer si nismë e parë për të bërë të pranishme para publikut të qytetit të Lorientit, Francë, mesazhet që vijnë prej fushave të ndryshme të artit dhe kulturës shqiptare. Ishte i rastësishëm takimi i Erik Vignerit, drejtori i CDDB-së (Qendra e Teatrit Dramatik të Bretanjës) me Armand Borën, drejtori i Teatrit Kombëtar të Tiranës në vitin 2006. Por rrugët nëpër të cilat shpërhapen mesazhet e fuqishme dhe të bukura të artit jo pak herë zbulohen nga rastësitë. Sidoqoftë, rastësia mbetet gjithnjë veçse në zanafillë, sepse më tej vlerat artistike bëjnë për vete deri në pronësim, personalitetet njohëse të artit. E kësaj natyre ishte edhe njohja e parë e Erik Vignerit me artin dhe kulturën shqiptare, i cili pas vitit 2006, në mënyrë të vijueshme s'mundi t'i shpëtojë joshjes së vlerave dhe mesazheve që përçonte kultura shqiptare, bartësit dhe ekzekutuesit e saj. Përmes kësaj njohjeje, në mënyrë graduale, por të sigurt, ai arriti që jo vetëm të vërë në skenë "Berberi i Seviljes" të Beaumarchai-së me aktorë shqiptarë, frymë, tinguj e konceptim shqiptar, por arriti të organizojë ditët e fundit në Qendrën e Teatrit Dramatik Kombëtar në Lorient, Bretanjë - Francë "Javën e kulturës shqiptare", në bashkëpunim me Bashkinë.
Regjizori francez E.Vigner e ka vënë në skenë këtë pjesë në Shqipëri në vitin 2007 dhe kjo qe hera e parë që Teatri Kombëtar i Tiranës u ftua në Francë për prezantimin e pjesës teatrale "Berberi i Seviljes". Aktorët kryesorë Roland Trebicka, Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Marko Bitraku, Fadil Kujovska u pritën me mjaft sukses nga publiku dhe media franceze. Pjesa u prezantua me kostumet tradicionale shqiptare, si dhe me muzikën e kompozitorit shqiptar Fatos Qerimaj.
Ditët në të cilat u organizua veprimtaria karakterizoheshin nga domethënia siglës "Prej Lorientit në Shqipëri", duke mbajtur gjithnjë në fokus lidhjen e kulturave të ndryshme me Lorientin; në rastin konkret, të kulturës shqiptare me Lorientin, duke pasuruar nismën e 2004-ës që lindi përmes siglës nistore "Prej Lorientit në Orient".
I tërë aktiviteti u zhvillua përmes një simbolike të shumëfishtë të cilën gazetat e ndryshme të atyre ditëve si "Ouest France", "Le Télégramme", "Lorient Mag" 'Les Inrockptibles" etj., si dhe kanali televiziv franko-gjerman ARTE, e pasqyruan përmes pohimit metaforik "Shqipëria, nga errësira në dritë".
Ishin raportet hije-dritë që buronin nga vlerat që përçonte koleksioni brilant i fotove të Marubit që sollën konceptimin e ri dhe modern të "Berberit të Seviljes ", të vënë në skenë nga Erik Vigneri. Ai e përvijoi mënyrën e re të konceptimit të vënies në skenë të "Berberit të Seviljes" pas njohjes së fotove të Marubit dhe finesës së pasqyrimit të realitetit bardhë e zi në to; ishin raportet hije-dritë dhe kontrastet e fuqishme që sillnin jonet muzikore të grupit polifonik të Mallakastrës, që paraqitën para spektatorit të Lorientit një gamë të fuqishme emocionale dhe një shpirt të ndjeshëm të një populli mesdhetar që vuan, por edhe shpreson, që di t'i këndojë vuajtjes, që di të përçojë vlera artistike të gjithkohshme dhe të përbotshme për gëzimin dhe ndjesi të tjera njerëzore.
Ishin këto raporte dhe kontraste ngjyrash që bënë interesante para publikut të Lorientit pamjet e papritura dhe surprizuese të godinave të kryeqytetit shqiptar, që erdhën përmes dokumentarit të Anri Salës " Dammi i colori"; ishin tashmë më drejtëpërdrejt dhe jo në mënyrë metaforike vësimet dhe interpretimet që u bënë në referimet e ambasadorit Ylljet Aliçka dhe profesorit Ardian Marashi, të cilat hodhën dritë mbi aspekte të ndryshme të historisë, kulturës dhe letërsisë shqipe që për publikun e qytetit të Lorientit ishin të panjohura, por që u shfaqen me ndriçimin e thekshëm që lëshon një kulturë e konservuar në heshtje dhe sakrificë.
Të ndjekura me shumë interes, referatet e Ylljet Aliçkës dhe Ardjan Marashit, u parapërgatitën nga informacione, mesazhe dhe ftetëvolante sa dashamirëse, po aq edhe poetike dhe joshëse për realitetin historik shqiptar. Për të ngjallur kureshjen e qytetarëve të Lorient-it për historinë dhe realitetin shqiptar, ja çfarë shkruhej në lajmërimin e veprimtarisë: "Shqipëria, e quajtur ndryshe vendi i shqipeve, është vend malor dhe bregdetar, fasada përëndimore e perandorisë otomane. Shqipëria është porta e fundit e Lindjes (Orientit) dhe porta e parë e Perëndimit. Vend i këngëtarëve shëtitës, këtyre poetëve rrugëtues dhe rrëfimtarë, me kujtesë të shkëlqyer, origjina e të cilëve shkon deri tek kohët homerike, të cilët i këndojnë historisë dhe e bëjnë historinë: një histori revolte dhe qëndrese, një histori premtimesh boshe të bëra nga ideologjia komuniste, histori që vjen e rrëfyer nga çdo cep i Shqipërisë".
Mbresëlënëse qenë ekpozita e përgatitur me fotot e Marubit dhe ligjëratat e Loic Chauvin-it et Chritian Raby-së për vlerat kulturore ballkanike e më gjerë të fotografisë artistike të dinastisë Marubi.
I motivuar dhe i mbështetur qe entuziasmi i gazetarëve që në të gjitha rastet, nuk lanë pa përmendur që fondi prej 15 mijë negativash përbën një thesar të vërtetë të krijuar prej tre breza artistësh fotografë. Ja çdo të shkruante gazeta "Le Télégramme" nën titullin "Fondi i jashtëzakonshëm Marubi" : Nëse ekpozita e hapur në Teatrin e Madh, përgatitur nga Marc Lainé mban emrin "Thesari fotografik shqiptar", ajo nuk është asgjë përpara 15 mijë negativave, një trashëgimie të përftuar mes viteve 1858-1936, dëshmi e një epoke që i tejkalon epokat, sidomos diktaturën komuniste".
Titujt sensacionalë në gazeta, ku respekti për kulturën dhe artin shqiptar u shfaq në forma sipërore, entuziasmi dhe pritja e ngrohtë e publikut, si dhe interesi i vazhdueshëm i tij për historinë dhe aktualitetin shqiptar dukeshin si ftesat më të mira që i bëheshin artistëve shqiptarë për një javë të dytë, të tretë apo të katërt të kulturës shqiptare në qytetin e Lorient-it, por jo vetëm aty. Dhe artistët shqiptarë, studiuesit dhe organizatorët ikën me premtimin për një takim tjetër sa më të shpejtë me këtë publik që vlerësoi maksimalisht prurjet kulturore dhe artistike shqiptare.
Pjesa teatrale "Berberi i Seviljes" u shfaq për tri netë radhazi dhe salla 1000 vendëshe e Teatrit të Madh të Lorientit ishte gjithnjë e mbushur plot. Njëkohësisht në Lorient grupi polifonik "Bilbilenjtë" dha një koncert me pjesë polifonike shqiptare, si dhe një koncert mes muzikantëve shqiparë dhe bretonë. Me rastin e kësaj jave, për nder të artistëve shqiptarë, kryetari i Bashkisë së qytetit, z. Nobert Métaire, organizoi një pritje në Bashki, ku përshëndeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka./a.gj/