English

Gjermani - Hapen Qendrat E Votimit Në Renani-Vestfalia Veriore, Test Për Merkel

BERLIN, 9 maj /ATSH-ANSA/ - U hapën mëngjesin e sotëm qendrat e votimit në Renani-Vestfalia Veriore, një nga Landet më të pasura të Gjermanisë, për disa zgjedhje që, pavarësisht se lokale, janë një test mjaft i rëndësishëm për kancelaren Angela Merkel. Në fakt në votime mund të ndikojë së tepërmi ndihma ekonomike që qeveria gjermane ka miratuar për Greqinë. Dhe nëse votuesit, gjithsej 13.5 milionë, do të vendosnin të largonin konservatorët dhe liberaldemokratët (FDP) nga qeveria lokale e Landit, atëherë do ta privonin kancelaren Merkel nga shumica e Bundesratit. Në sfidën e sotme do të përballen kristiandemokrati Juergen Ruettgers dhe kandidati i SPD-së, Hannelore Kraft. Sondazhet e fundit në Renani-Vestfalia Veriore i japin CDU-së së Merkel 37 për qind të votave dhe aleatëve të saj, FDP-së, 6 për qind. Dhe në bazë të sondazhit qeveria në koalicion do të merrte vetëm 43 për qind të votave dhe kështu do të humbiste shumicën në Këshillin Federal, një organ jo pak i rëndësishëm në tërësinë e Shtetit gjerman. SDP-ja, sipas parashikimeve të fundit, do të arrinte në 37 për qind, të Gjelbrit në 10 për qind dhe Linke duhet ta kalojë 5 për qindëshin e nevojshëm për t'u futur në parlamentin e Landit. Një marrëveshje e këtyre tre partive do të arrinte në 52 për qind. Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00. (Shënim i përkth. *Bundesrati, "Këshilli Federal", është një organ legjislativ që përfaqëson 16-të Landet (shtetet federale) e Gjermanisë në nivel federal. Bundesrati bashkëvendos për ligjet federale që prekin vetëm kompetencat e Landeve. I vetmi parlament federal në Gjermani është Bundestagu).
KOMENTE