Islandë - Vullkan - Itali- Anulohen Më Tepër Se 300 Fluturime Sot
ROMË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Më tepër se 300 fluturime janë anuluar sot në Itali për shkak të mbylljes në orët e mëngjesit të hapësirës ajrore në veriperëndim të vendit nga prania e resë së hirit vullkanik që vjen nga vullkani islandez, njoftuan shoqëritë që administrojnë aeroportet e ndryshme.
Sipas shoqërisë së Milanos SEA, 194 fluturime janë detyruar të anulohen në aeroportin Malpensa të Milanos dhe 85 në atë Linate po të Milanos.
Ndalimi i fluturimeve nga ora 06:00 GMT deri në orën 12:00 GMT kishte të bënte vetëm me veriperëndimin e gadishullit, por pati pasoja në të gjithë vendin. Kështu, në kryeqytetin Romë, janë anuluar 103 fluturime nga dhe me destinacion aeroportin Fiumicino, por vetëm pesë në Ciampino.
Trafiku ajror është pezulluar në rajonin turistik të Toskanës, në aeroportet e Pizës dhe Firences, me dhjetëra anulime.
Rreth 30 fluturime janë anuluar edhe në Torino.
Trafiku ajror ishte i rënduar gjithashtu në Sardenjë dhe Siçili ku rreth 30 fluturime janë anuluar, sidomos sepse shoqëritë nuk arritën të dërgojnë atje aeroplanët e tyre.
/I.Pu.