English

Koment - Rusi - Hija E Stalinit Vërtitet Rreth Paradës Së Fitores Mbi Nazizmin

MOSKË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Rusia, që përkujton sot me pompozitet të madh 65-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste, duket më e zënë ngushtë se kurrë nga dykuptimësia e marrëdhënieve me ish-diktatorin Josif Visarionoviç Stalin. Që prej një jave, hija e të ashtuquajturit ''babai i popujve'', që çoi Bashkimin Sovjetik (BRSS) drejt fitores në vitin 19945, por gjithashtu që u akuzua edhe për vdekjen e miliona personave në kampe dhe gjatë kolektivizimit të detyruar, ka pushtuar shtypin rus. Bëhet fjalë për një pjesë të reagimeve të ashpra që ngjalli vendimi i autoriteteve moskovite për të vendosur në qytet afishe ku përmendej roli i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të festimeve të mëdha të 9 majit, ndërkohë që numër liderësh të huaj pritet të marrin pjesë në këtë ceremoni madhështore nesër në Moskë. Në fund kjo ide u hodh poshtë zyrtarisht për shkaqe praktike dhe nga frika e akteve vandaliste. Sipas shtypit rus, ka qenë Kremlini që ka ushtruar presion mbi kryetarin e bashkisë së Moskës, Juri Ljukov, nismëtari i këtij projekti, për të hequr dorë. ''Afishet e Stalinit që bashkia kishte vendosur t'i vinte në ambientet e jashtme publike, do të ekspozohen në brendësi të ndërtesave të muzeve'', tha kryetari i bashkisë. Presidenti rus, Dmitri Medvedev theksoi në një intervistë se ''Bashkimi Sovjetik ishte një shtet shumë i komplikuar dhe për të qenë të ndershëm, regjimi i asaj kohe nuk mund të quhet ndryshe përveçse totalitar''. ''Ajo që ka bërë Stalini me popullin e tij nuk mund të falet", nënvizoi ai në këtë intervistë me një ton të pazakontë për një drejtues rus. Vladimir Putin e cilësoi rrëzimin e ish-Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të XX, në një fjalim që mbajti në vitin 2005 para kombit në kohën që ishte president i Rusisë. OJQ-të ruse kanë denoncuar prej shumë vitesh atë që ata e cilësojnë si rehabilitimi teknik i stalinizmit nën nxitjen e fshehtë të autoriteteve. Por, madhështia e festimeve të organizuara gjatë javës në Rusi për fitoren e viti 1945 mund t'i japë veçse një shtysë tjetër këtij debati të vjetër, pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për ta minimizuar atë./ /ec/ a.jor.
KOMENTE