English

Kurt Kola: Jo marrëveshje me Berishën, të hapet kutia e Pandorës

Tiranë, 09 Maj, NOA – Protestës së Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj opozitarë i është bashkuar edhe në fjalimet e liderëve Kryetari i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, Kurt Kola.

Kola ka kërkuar që të mos bëhet marrëveshje me Kryeministrin Sali Berisha, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor për ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë 20 viteve të fundit.

“Me Saliun ka vetëm një marrëveshje të hapet kutia e Pandorës dhe të dalin krimet e tij 20 vjeçare”, u shpreh Kola, në fjalën e tij para protestuesve të opozitës.

Kreu i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë u shpreh se deklarata e tij bëhet në emër të gjithë njerëzve që kanë vuajtur nga sistemi komunist.

“ Dal këtu në emër të të burgosurve politikë që luftuan dhëmbë për dhëmbë kundër komunizmit, në emër të të internuarve për votën e lirë, demokracinë dhe lirinë”, ka thënë ai.

Kurt Kola ju bashkua protestave të opozitës vetëm dy ditë më parë duke i cilësuar ato si legjitime dhe si vazhdim e betejës për demokraci, e cila sipas tij ka nisur 20 vite më parë dhe vijon edhe sot.

m.xh/NOA

KOMENTE