Lohan: "Per Europen Duhet Menduar Çdo Dite"
DURRES, 9 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Ambasadori i BE në Tiranë Helmut Lohan vizitoi sot në mbrëmje qytetin e Durrësit në përfundim të veprimtarive të Javës së Evropës, të organizuara nga Këshilli i Qarkut në bashkëpunim me gjashtë bashkitë kryesore.
Gjatë takimit të organizuar në mjediset e këshillit të qarkut me drejtuesit e pushtetit vendor Lohan vlerësoi nismën e ndërmarrë për Ditën e Evropës që përçon një mesazh shumë të rëndësishëm për qarkun e Durrësit.
"Jam dakort me ju që për Evropën duhet menduar çdo ditë", tha Lohan.
"Shqipëria do të jetë pjesë e Evropës, dhe në se plotësoni kushtet brenda vitit mund të ketë liberalizim të vizave", tha ia duke shtuar se , "Evropa këtë javë është në Durrës, ajo është çdo ditë në Tiranë dhe në të gjithë vendin".
Z. Lohan vlerësoi resurset natyrore dhe historike të Durësit dhe të Krujës, duke nënvizuar se ndjehet shumë afër qyteteve të këtij qarku.
Kryetari i këshillit të qarkut Seit Kërtusha në fjalën e mirëseardhjes tha se bashkitë dhe komunat e qarkut të Durrësit i bashkon interesi për zhvillimin dhe integrimin e rajonit tonë në Evropën e bashkuar.
Kryetari i bashkisë Vangjush Dako nënvizoi se "Evropa në kërkon të gjithëve bashkë dhe se bashkëpunimi duhet të jetë i vazhdueshëm".
Lohan vizitoi mjediset e amfiteatrit të Durrësit, ku u njoh nga afër me rrugën 3000-vjeçare të qytetit antik. Ai morri pjesë në koncertin përmbyllës të Javës Evropiane që u organizua në Durrës nga 3-9 maj.
/f.n/